Gadaf Uzairi i drejtohet opinionit me një mesazh!





Ish sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi përmes një postimi ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit që po ndodhin në vendin tonë.

Uzairi përmes një mesazhi publik u është drejtuar opinionint, oponentëve politik duke ngritur një numër çështjesh dhe shqetësimesh.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë, bashkëpartiakë dhe oponentë politikë!

Është gjithnjë e më e qartë se në mbarë Maqedoninë e Veriut po shfaqet një valë e gjerë pakënaqësie qytetare. Protestat që po zhvillohen nuk janë të izoluara dhe as të rastësishme, ato janë pasqyrim i një grumbullimi të gjatë problemesh sociale, ekonomike dhe politike që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.
Çështje si rritja e çmimit të energjisë elektrike (EVN), bllokimi i procesit të integrimit evropian, paga minimale që nuk përballon koston reale të jetesës, si dhe barrët e vazhdueshme financiare mbi qytetarët për të mbushur arkën e shtetit, kanë krijuar një ndjenjë të thellë padrejtësie dhe mosbesimi. Këtyre u shtohen edhe shumë raste të tjera të keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës institucionale.
Në këtë situatë, mendoj se është koha të ndalemi, të reflektojmë dhe mbi të gjitha ta dëgjojmë zërin e qytetarit. Protesta nuk duhet parë si kërcënim, por si një thirrje për vëmendje dhe ndryshim. Qytetarët kërkojnë dinjitet, drejtësi sociale dhe një perspektivë të qartë për të ardhmen e tyre.
Pa dallim bindjesh politike, është momenti të qëndrojmë krah për krah me qytetarët dhe të kërkojmë zgjidhje reale, të qëndrueshme dhe në interes të përgjithshëm. Heshtja dhe neglizhenca vetëm sa e thellojnë krizën. Veprimi i përgjegjshëm dhe dialogu i sinqertë janë të domosdoshëm.