Universiteti i Tetovës dhe Kolegji Universitar “Qiriazi” nga Tirana kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunim, që shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Rektori i Kolegjit Universitar “Qiriazi” Prof. Dr. Gjokë Uldedaj.
Memorandumi parasheh bashkëpunim konkret në disa drejtime kyçe, përfshirë: shkëmbimin e stafit akademik dhe mbajtjen e ligjëratave të përbashkëta, bashkudhëheqjen e studimeve doktorale dhe titujve akademikë, shkëmbimin e planeve dhe programeve mësimore, realizimin e projekteve kërkimore-shkencore (kombëtare dhe ndërkombëtare), organizimin e konferencave, seminareve, simpoziumeve dhe punëtorive shkencore, si dhe bashkëpunimin në fushën e botimeve akademike dhe shkëmbimit të informacionit shkencor.
Po ashtu synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë akademike, avancimin e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u theksua edhe rëndësia historike dhe simbolike e emrit Qiriazi në arsimin kombëtar. Në takim ishte e pranishme edhe zonja Rozë Ceka – administratore e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, përndryshe trashëgimtare e familjes Qiriazi dhe mbesë e patriotes dhe veprimtares së shquar të arsimit shqiptar, Parashqevi Qiriazit, e cila përfaqëson vazhdimësinë e trashëgimisë arsimore, kulturore dhe kombëtare që kjo familje i ka dhënë arsimit shqip.




