Kina ka ekzekutuar 11 persona të lidhur me rrjete mashtrimesh telefonike dhe online që vepronin nga zonat kufitare të Myanmar-it, në atë që Pekini e konsideron si një mesazh paralajmërues ndaj bandave kriminale që drejtojnë një industri globale mashtrimesh me vlera miliardëshe.
Sipas mediave shtetërore kineze, të ekzekutuarit ishin “anëtarë kyç” të sindikatave të mashtrimeve, përfshirë figura të lidhura me grupin famëkeq kriminal të familjes Ming, të cilët akuzohen se aktivitetet e tyre çuan në vdekjen e 14 shtetasve kinezë dhe plagosjen e shumë të tjerëve.
Ekzekutimet u kryen të enjten, pasi ata ishin dënuar me vdekje në shtator nga një gjykatë në qytetin Wenzhou në Kinën lindore. Vendimi u miratua edhe nga Gjykata Supreme Popullore në Pekin, e cila deklaroi se provat për krimet e kryera që prej vitit 2015 ishin “të mjaftueshme dhe përfundimtare”.
Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, ndaj tyre rëndonin akuza për: vrasje të qëllimshme, plagosje të qëllimshme, ndalim të paligjshëm, mashtrim dhe organizim të paligjshëm të lojërave të fatit (kazino).
Kina ka intensifikuar goditjen ndaj të ashtuquajturave “qendra mashtrimesh”, të cilat janë përhapur në kufijtë e Myanmar-it dhe vende të tjera të Azisë Juglindore. Këto rrjete përdorin skema mashtrimi në internet dhe telefon, përfshirë mashtrime ‘romantike’ dhe investime të rreme në kriptomonedha, duke vjedhur miliarda dollarë nga viktima në mbarë botën.
Ekspertë dhe OKB kanë paralajmëruar se shumë nga këto qendra dyshohet se mbahen në punë edhe nga persona të trafikuar, të detyruar nën kërcënime dhe dhunë. Sipas dëshmive të disa personave të liruar, brenda komplekseve të ruajtura rëndë, dhuna dhe torturat kanë qenë të zakonshme.
Familja Ming ishte një nga klanet kriminale që dominonte qytetin Laukkaing në rajonin Kokang të Myanmar-it, duke e kthyer atë në një qendër të kazinove dhe mashtrimeve online. Perandoria e tyre u rrëzua në vitin 2023, pasi milicitë etnike morën kontrollin e zonës dhe disa anëtarë u arrestuan e më pas iu dorëzuan autoriteteve kineze.
Gjykata e lartë kineze deklaroi se aktivitetet e mashtrimit dhe lojërave të fatit të këtij rrjeti kanë gjeneruar mbi 10 miliardë juanë (rreth 1.4 miliardë dollarë) mes viteve 2015-2023. Patriarku i klanit, Ming Xuechang, raportohet se vrau veten në 2023 për të shmangur arrestimin.
Autoritetet kineze kanë sinjalizuar se këto ekzekutime nuk do të jenë të fundit, ndërsa paralelisht Pekini po rrit bashkëpunimin me qeveritë e rajonit për shkatërrimin e rrjeteve të mashtrimeve. Vetëm vitin e kaluar, sipas Ministrisë kineze të Sigurisë Publike, mbi 7,600 shtetas kinezë të dyshuar për mashtrime dhe lojëra fati online u riatdhesuan nga zonat kufitare të Myanmar-it për t’u gjykuar në Kinë.