Fetai: Nga fundi i kësaj jave do të dakordohet versioni final për ligjin për përfaqësim të drejtë





Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në emisionin “Rishtazi” për “Koha cast” ka thënë se Projekt-ligji për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat është miratuar në qeveri në muajin qershor, sipas ujdisë politike në kuadër të koalicionit ku është dërguar në Komisionin e Venecias për vlerësim me praktikën evropiane.

“Komisioni e ka shqyrtuar dhe më datë 16 dhjetor na ka kthyer mendim për projekti-ligjin që e kemi dërguar për mendim te ta, është publikuar edhe në faqen e Komisionit të Venecias ku unë isha si përfaqësues i qeverisë për të mbrojtur këtë projekt- ligj. Ky është ligj kornizë që zbaton për herë të parë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat i cili do duhej të ishte zgjidhur me ligj në vitin 2003, nuk është bërë kjo asnjëherë dhe neve na ka rënë hise të bëjmë ligj”, tha Fetai.

Ai shton se këtë javë që shkoi ka mbledhur grupin e punës përsëri dhe se gjatë kësaj jave janë konsultimet e fundit në lidhje me ndryshimet sa i përket definimit të koncepteve brenda ligjit.

“Dhe besoj se nga fundi i kësaj jave duhet të dakordohet versioni final dhe pastaj të ulemi me kryeministrin të vendosim në procedurë qeveritare, sepse duhet përsëri të kalojë në qeveri dhe të gjejmë dakordim sa më shpejtë në grupin punues që nga java tjetër ta lëshojmë në procedurë qeveritare dhe pastaj të shkojë në Kuvend për debat”, ka theksuar zëvendëskryeministri Fetai.