Fetai: Pa transparencë të pronësisë, nuk ka luftë reale kundër korrupsionit

Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Qeverisje të Mirë, z. Arben Fetai, mori
pjesë në forumin tematik “Përdorimi i të dhënave mbi pronarët përfitues për reduktimin e korrupsionit”,
të organizuar nga Qendra për Komunikime Civile me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes
programit Civica Mobilitas.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Fetai theksoi se transparenca e pronësisë përfituese është një
instrument kyç për parandalimin e korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqpërdorimit të fondeve
publike, duke nënvizuar se kjo çështje përbën një prioritet të rëndësishëm të agjendës qeveritare dhe të
procesit të integrimit evropian.

Ai vuri në dukje progresin e arritur në këtë fushë përmes funksionalizimit të Regjistrit të Pronarëve
Përfitues dhe harmonizimit të legjislacionit kombëtar me Direktivën e 5-të të Bashkimit Evropian kundër
pastrimit të parave. Fetai theksoi se, sipas të dhënave të vitit 2021, mbi 70 mijë individë unikë janë të
regjistruar si pronarë përfitues, ndërsa rreth 90 për qind e subjekteve të obliguara kanë përmbushur
detyrimin ligjor për regjistrim, duke krijuar një bazë të fortë për transparencë.

Në këtë kontekst, ai theksoi se ky kuadër është në përputhje me aspiratat e vendit për anëtarësim në
Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitujve 23 dhe 24, të cilët theksojnë nevojën për
balancë ndërmjet luftës kundër pastrimit të parave dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Njëkohësisht, Fetai nënvizoi nevojën për përmirësimin e mekanizmave për mbrojtjen e të dhënave
personale në rrethana të veçanta, në përputhje me praktikat dhe vendimet relevante të Gjykatës së
Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Fetai rikujtoi angazhimin e Qeverisë në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të
Hapur për integrimin e të dhënave mbi pronarët përfitues në Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik,
me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes publike.

Në përfundim, ai bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile
dhe mediave, duke theksuar se vetëm përmes veprimeve konkrete dhe shfrytëzimit efektiv të të
dhënave mund të arrihen rezultate reale në luftën kundër korrupsionit.

Fetai: Pa transparencë të pronësisë, nuk ka luftë reale kundër korrupsionit