Levica: Mickoski, me xhemper prej 2.000 euro, i konsideron të paligjshme kërkesat për rritjen e pagës minimale





Partia “Levica” dënon, siç thotë, paraqitjen cinike dhe arrogante të kryeministrit Hristijan Mickoski, me të cilën kërkesat legjitime sindikale për rritjen e pagës minimale po diskreditohen si “agjendë politike”, ndërsa, sipas tyre, po relativizohet varfëria reale e qindra mijëra familjeve.

“Kur bartësi i funksionit më të lartë ekzekutiv, një njeri që publikisht dhe pa asnjë ndrojtje demonstron luks, mban ligjërata për ‘jorealitetin’ e kërkesave për paga më të larta të punëtorëve, kjo përbën një demonstrim të hapur të arrogancës klasore dhe një shkëputje të plotë nga realiteti në të cilin jeton shumica e qytetarëve”, thuhet në reagimin e “Levicës”, duke shtuar se faktet janë të pamëshirshme.

Sipas Levicës, Maqedonia ka pagën minimale më të ulët në rajon; 73 për qind e të punësuarve marrin pagë nën mesataren; ndërsa çdo i treti punëtor mbijeton me më pak se 30.000 denarë në muaj. Në të njëjtën kohë, shpenzimet minimale të një familjeje katëranëtarëshe tashmë i kalojnë 66.000 denarët dhe vazhdojnë të rriten, ndërsa inflacioni po e gërryen fuqinë blerëse dhe po i neutralizon edhe korrigjimet ligjore nominale të pagave.

“Në vend që të marrë përgjegjësi dhe të udhëheqë një politikë aktive për mbrojtjen e punës, Qeveria e DPMNE-së zgjedh të stigmatizojë sindikatat dhe ta kriminalizojë rolin e tyre. Kjo retorikë është e rrezikshme dhe synon ta heshtë punën e organizuar, duke e paraqitur luftën për ekzistencë si ‘intrigë partiake’, çka përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj së drejtës kushtetuese për organizim dhe veprim kolektiv”, theksojnë nga Levica.