Minçev: Reformat në administratën publike nuk janë “provë korrigjuese”, por ndryshim sistemor

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në paraqitjen e tij në emisionin “Top Tema” në TV Telma theksoi se i ashtuquajturi grace period nuk përfaqëson shtyrje formale apo “provë korrigjuese”, por një kornizë kohore të dakorduar me partnerët evropianë për zbatimin cilësor, të qëndrueshëm dhe sistemor të reformave në administratën publike informon Tetovasot.

“Periudha e tolerancës është pjesë e dinamikës së dakorduar reformuese me Bashkimin Evropian dhe i referohet gjithë vitit 2026. Ligji për shërbimin e lartë drejtues është pjesë e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike dhe synimi ynë është ta miratojmë brenda afatit të paraparë”, theksoi Minçev.

Ai informoi se procesi i miratimit të ligjit po zhvillohet në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, me pjesëmarrje aktive të të gjitha palëve të interesuara – institucioneve, sindikatave, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë – çka, sipas tij, nuk ka qenë praktikë në të kaluarën.

“Pres edhe një debat publik në kuadër të Komisionit parlamentar për sistem politik, pas së cilës zgjidhja ligjore e plotë do të miratohet deri në fund të prillit”, deklaroi ministri.

Në lidhje me zbatimin, Minçev sqaroi se është i domosdoshëm një periudhë për miratimin e akteve nënligjore dhe harmonizimin me ligje të tjera, në mënyrë që sistemi i ri të funksionojë siç duhet dhe pa boshllëqe juridike.

“Reformat nuk ndodhin brenda natës. Ky është një proces ndërtimi të sistemit. Me zbatimin e ligjit, funksionet ushtruese do të bëhen përjashtim dhe jo rregull, do të zvogëlohet hapësira për partiizim dhe do të forcohet profesionalizmi dhe përgjegjësia e pozicioneve të larta drejtuese”, potencoi ai.

Minçev shtoi se ligji parasheh edhe ndryshime të rëndësishme strukturore, përfshirë zvogëlimin e numrit të anëtarëve në këshillat drejtues, si dhe rregullimin e qartë të statusit të drejtorëve, sekretarëve shtetërorë dhe organeve drejtuese.

“Qëllimi është i qartë: më pak ndikime partiake, më shumë cilësi, llogaridhënie dhe stabilitet në institucione”, përfundoi Minçev.