Fitojnë Bora dhe Prishtina

Bora dhe Sigal Prishtina kanë shënuar fitore bindëse në kuadër të xhiros së 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll. Kësisoji kriza e rezultateve po thellohet për KB Peja dhe Rahovecin 029.

KB Peja ka pësuar humbjen e pestë radhazi në kampionat. Ekipi pejan është mposhtur të shtunën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë nga Bora me rezultat të thellë 88:68.

Bora e ka kontrolluar ndeshjen që nga fillimi, duke fituar dy çerekët e parë 26:17 dhe 25:14, për të shkuar në pushim me nëntëmbëdhjetë pikë epërsi.

Peja ka reaguar lehtë në çerekun e tretë, të cilin e ka fituar 21:18, por Bora e ka menaxhuar mirë fundin e ndeshjes dhe ka fituar edhe dhjetëminutëshin e fundit 19:16.

Më i dalluari te Bora ka qenë Shaquan Jules me njëzet pikë dhe nëntë kërcime, ndërsa Amin Hot ka kontribuar me dhjetë pikë, gjashtë kërcime dhe njëmbëdhjetë asistime.

Te Peja është veçuar Cesare Edwards me njëzet pikë dhe pesë kërcime.

Ndërkohë, Sigal Prishtina është rikthyer te fitorja pas tri humbjeve radhazi. Prishtinasit e kanë mposhtur Rahovecin 029 në palestrën “Mizahir Isma” me rezultat 68:59.

Rahoveci e ka nisur më mirë ndeshjen duke fituar çerekun e parë 14:13, por Prishtina është rikthyer fuqishëm duke fituar çerekun e dytë dhe të tretë 23:20 dhe 22:13.

Edhe pse Rahoveci e ka fituar çerekun e fundit 12:10, kjo nuk ka mjaftuar për ta rrezikuar fitoren e vendasve.

Te Prishtina është dalluar Khalil Dukes me njëzet pikë, tri kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Adrio Bailey ka kontribuar me nëntë pikë, dymbëdhjetë kërcime dhe pesë asistime.

Te Rahoveci 029 më efikasi ka qenë Julian Roche me katërmbëdhjetë pikë dhe tetë kërcime. Rahoveci po kalon një periudhë të vështirë, pasi ka regjistruar gjashtë humbje radhazi në Superligë.