Nikolloski: Ekonomia maqedonase në prag kolapsi për shkak të rregullave të reja të Shengenit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka alarmuar se ekonomia maqedonase dhe ajo rajonale rrezikojnë seriozisht të kolapsojnë për shkak të rregullave të reja të Shengenit për hyrjen e shoferëve profesionistë në vendet e BE-së transmeton Tetovasot.

Në një intervistë për Radio Lider, Nikolloski theksoi se për një vit me radhë ka paralajmëruar për problemet me transportuesit dhe sistemin elektronik të evidencës në BE, por pa hasur mirëkuptim nga autoritetet evropiane.

“Së bëhet fjalë për një problem të madh ekonomik që mund ta kolapsojë tërësisht ekonominë maqedonase dhe rajonale”, deklaroi Nikolloski, duke shtuar se edhe pas debateve të ashpra që ka pasur me përfaqësues të BE-së në Bruksel, nuk ka gjetur mbështetje për këtë çështje.

Ai theksoi se ky problem do të ndikojë drejtpërdrejt sektorin e transportit në të gjithë rajonin, si dhe kompanitë eksportuese, duke vënë në rrezik stabilitetin ekonomik të vendit.

“Qeveria i kupton plotësisht transportuesit dhe bllokadat e paralajmëruara në vendkalimet kufitare drejt zonës Shengen”, tha Nikolloski.

Sipas tij, nga e hëna pritet të nisë një protestë shtatëditore në vendkalimet kufitare drejt vendeve të Shengenit, ku do të marrin pjesë transportues nga Maqedonia, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

“Bëhet fjalë për një problem ekonomik që mund ta kolapsojë tërësisht ekonominë maqedonase dhe rajonale, pasi ekonomitë tona janë të vogla dhe kryesisht të orientuara drejt eksportit”, theksoi Nikolloski.

Ai paralajmëroi se nëse transporti shtrenjtohet për 3 deri në 5 për qind, kompanitë vendore do të bëhen jokonkurruese në tregun evropian.

“Nëse transporti shtrenjtohet deri në 5 për qind, atëherë produktet nga Maqedonia dhe rajoni bëhen jokonkurruese dhe ekziston rreziku që kompanitë të largohen nga vendi”, tha Nikolloski.

Zëvendëskryeministri theksoi se prodhimi në Zonat Industriale Teknologjike Zhvillimore, që realizon eksport 100 për qind dhe siguron fluksin më të madh të devizave, do të preket drejtpërdrejt.

Ai shtoi se megjithë bisedimet e vazhdueshme me përfaqësues të BE-së, ata mbeten në qëndrimin për zbatimin e rregullave të reja.

“Unë dhe Qeveria kemi mirëkuptim të plotë për transportuesit maqedonas, e kuptojmë revoltën e tyre dhe i mbështesim kërkesat e tyre. Problemi duhet të zgjidhet ose me shtyrjen e sistemit elektronik për shoferët profesionistë ose përmes gjetjes së një modeli për viza pune”, u shpreh Nikolloski.

Ai akuzoi BE-në për burokraci dhe mungesë vëmendjeje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se BE-ja nuk e kupton çfarë do të thotë kjo për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për burokraci klasike dhe injorim të problemit”, deklaroi Nikolloski.

Si shembull konkret, ai përmendi se një kompani me të cilën ka biseduar parashikon humbje prej 1.5 milionë euro në javë për shkak të kushteve të reja.

“Sipas këtyre kushteve, biznesi i transportit bëhet plotësisht i paqëndrueshëm, sepse koha që shoferët mund të qëndrojnë në BE do të zvogëlohet për 50 për qind”, përfundoi Nikolloski.