Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë njofton se takimi i dytë i Ministrave të Jashtëm të Platformës së Paqes së Ballkanit do të mbahet sot në Stamboll, me organizim dhe mikpritje nga Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit të ftuara, duke përfshirë: Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Qëllimi i takimit është të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal për sfidat e përbashkëta, për të ndarë përvojat dhe për të nxitë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Takimi shënon vijimësinë e angazhimit në kuadër të Platformës së Paqes së Ballkanit, e cila synon të plotësojë dhe mbështesë proceset ekzistuese rajonale dhe ndërkombëtare për stabilitet dhe bashkëpunim.
Platforma, e themeluar me nismën e Turqisë, është krijuar me qasjen e përgjegjësisë rajonale me synimin për të rritur dialogun, besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit dhe për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për çështjet rajonale.
Në këtë takim të Platformës, pritet të diskutohen një gamë e gjerë temash, përfshirë çështjet rajonale, menaxhimin e përbashkët të kufijve dhe luftën kundër migrimit të parregullt, bashkëpunimin dhe koordinimin në proceset e BE-së, sigurinë energjetike, digjitalizimin, industrinë, rininë, teknologjinë, korridoret e transportit dhe ndërlidhjen.
Takimi i parë i Platformës së Paqes së Ballkanit ishte mbajtur më 26 korrik 2025, gjithashtu në Stamboll