ASH: Skandal në Haraçinë – Kryetari i Komunës largon nga puna tre familjarë të dëshmorëve





Kryetari i Komunës së Haraçinës ka ndërmarrë një veprim të papranueshëm dhe politikisht të dënueshëm duke larguar nga puna tre familjarë të dëshmorëve. Ky vendim përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj familjeve që kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë e vendit.

Largimi i familjarëve të dëshmorëve nga institucionet komunale nuk është reformë, nuk është ligjshmëri dhe nuk është drejtësi. Është mungesë respekti, cinizëm institucional dhe përdorim i pushtetit kundër atyre që nuk kanë mundësi të mbrohen.

Kjo qasje e kryetarit dëshmon se për këtë udhëheqje nuk ka as ndjeshmëri njerëzore dhe as përgjegjësi morale. Familjet e dëshmorëve nuk janë numra për spastrime politike dhe as viktima të kalkulimeve personale.

Kërkohet reagim i menjëhershëm institucional, transparencë e plotë mbi arsyet e largimit dhe rikthim i menjëhershëm i të larguarve në vendet e tyre të punës. Heshtja përballë këtij veprimi është bashkëfajësi.