Lloga: Kam denoncuar në MPB personat dhe profilet që kanë përdorur gjuhë urrejtjeje, dhune dhe racizmi
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka bërë të ditur se ka denoncuar në platformën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të gjithë personat, si dhe profilet e vërteta apo të rreme, që kanë përdorur gjuhë urrejtjeje, dhune, racizmi apo forma të tjera të ngjashme të nxitjes së urrejtjes.
Përmes një deklarate publike, Lloga theksoi se veprime të tilla përbëjnë shkelje serioze dhe cenojnë bashkëjetesën, sigurinë dhe rendin demokratik në vend.
“Sapo kam denoncuar në platformën e MPB-së të gjithë personat dhe profilet që kanë përdorur gjuhë urrejtjeje, dhune dhe racizmi. Tashmë mbetet në kompetencë të organeve përgjegjëse që t’i lokalizojnë dhe t’i sanksionojnë autorët”, deklaroi Lloga.
Ai u shpreh se institucionet duhet të veprojnë pa hezitim dhe në përputhje me ligjin, duke dërguar një mesazh të qartë se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë nuk do të tolerohen./TS