Gjykatësi Ristov i “350 mijë eurove” shpëton nga paraburgimi

Gjykatësi i Apelit Gjoko Ristov të cilit iu gjetën 350 mijë euro të padeklaruara në një bunker special në shtëpinë e prindërve të tij, nuk do të përfundojë prapa grilave. Edhe pse rasti ishte tronditës për opinionin dhe u cilësua si ndër më të ndërlikuarit në historinë e vendit, për çka ishin angazhuar Policia Financiare, Ministria e Punëve të Brendshme e madje edhe Agjencia për Siguri Kombëtare, organi i akuzës nuk ka kërkuar që t’i caktohet masa më e rreptë për sigurinë e prezencës, respektivisht paraburgim. Në vend të kësaj, prokurori i ka propozuar Gjykatës që Ristovit t’i caktohen masa më të lehta, arrest shtëpie dhe konfiskim të pasaportës apo ndalesë për dalja nga shteti, transmeton Alsat.

“Duke i vlerësuar kushtet objektive që janë të nevojshme të plotësohen për caktimin e masës së sigurisë së pranisë, por edhe ato subjektive që të njëjtën e arsyetojnë, gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Penale të Shkupit, prokurori publik i ka dorëzuar propozim që të dyshuarit t’i caktohet arrest shtëpiak. Përveç kësaj mase, është propozuar edhe caktimi i masës së kujdesit – konfiskim i përkohshëm i pasaportës dhe letërnjoftimit”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.

Meqë Ristov gëzon imunitet gjyqtari, Gjykata Penale e Shkupit kërkon nga Këshilli Gjyqësor që t’i hiqet imuniteti. Ndërkohë Këshilli ka caktuar seancë, në të cilën pritet që të veprojnë sipas kërkesës së Gjykatës.

Sipas Prokurorisë, Ristov do të ndiqet veprën penale “Përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pronës sipas nenit 359-a paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe veprën penale Pastrim Parash dhe të Ardhurave tjera nga Vepra Penale sipas nenit 273 paragrafi 1. Sipas Kodit Penal për Përfitim të Paligjshëm dhe fshehje të pasurisë parashikohet dënim me burg prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa për pastrim parash prej 1 deri në 10 vjet burg.

Ristov, ra në rrjetin e Prokurorisë pasi paraprakisht avokati Fehmi Stafa u arrestua duke marrë ryshfet për të liruar nga paraburgimi një të kërkuari nga drejtësia. Sipas Prokurorisë, Stafa kishte kërkuar 100 mijë euro, por kishte marrë 50.000 mijë, për ta korruptuar gjykatësin Gjoko Ristov. Kjo ka mjaftuar që organet hetuese t’i vihen pas Ristovit, i cili nga ana tjetër, pasi ka nuhatur situatën ka ndaluar ta përdor telefonin celular, ndërsa një javë më parë ka marrë pushim mjekësor. Ndërkohë Prokuroria, me urdhër të gjykatës ka kryer disa bastisje, në kërkim të parave që dyshohet se janë fituar nga korrupsioni dhe tregtimi i paligjshëm me ndikim. Biografia e Ristovit si gjykatës, ka disa raste kundërthënëse, e më së shumti mbahet mend për ndikimin e tij që ish Shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijallkov, të shpëtojë nga burgu për skandalin e përgjimeve të paligjshme./ Alsat.mk