Këshilli Gjyqësor i heq imunitetin gjykatësit Gjoko Ristov, miratohet arresti shtëpiak





Në seancën urgjente të martën, Këshilli Gjyqësor me 10 vota “për” i hoqi imunitetin gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, dhe miratoi propozimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, në kërkesë të Gjykatës Themelore Penale Shkup.

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, me 10 vota “për”, vendosën që gjykatësi Ristov të largohet përkohësisht nga ushtrimi i detyrës gjyqësore.
Gjykatësi i Apelit, i dyshuar, ngarkohet për veprat penale përfitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë (neni 359-a paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1) dhe pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale (neni 273 paragrafi 1), pasi në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, policia ka gjetur 350.000 euro të murrosura në mur, për të cilat ekzistojnë dyshime se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim që ndaj gjykatësit të dyshuar Ristov të caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Përveç kësaj mase, siç u theksua, është propozuar edhe masa kujdesi – konfiskimi i përkohshëm i pasaportës ose i dokumenteve të tjera për kalim të kufirit shtetëror, përkatësisht ndalimi i lëshimit të tyre, me qëllim sigurimin e pranisë së të dyshuarit gjatë procedurës.