Britania ndjek gjurmët e Australisë, shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për adoleshentët nën 16 vjeç

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të nisë një konsultim publik mbi një ndalim të mundshëm të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç….

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të nisë një konsultim publik mbi një ndalim të mundshëm të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Edhe pse kryeministri britanik Keir Starmer fillimisht kishte shprehur rezerva ndaj një ndalimi të përgjithshëm, qëndrimi i qeverisë ka filluar të ndryshojë ditët e fundit, me ministra që tashmë konfirmojnë zyrtarisht hapjen e konsultimit për një kuadër rregullator më të rreptë.

Konsultimi do të shqyrtojë disa çështje kyçe, përfshirë rritjen e pragut të pëlqimit dixhital, përmirësimin e saktësisë së teknologjive të verifikimit të moshës, si dhe mundësinë e kufizimit ose heqjes së veçorive që nxisin varësinë, të tilla si “vijat” e vazhdimësisë dhe lëvizja e pafund e përmbajtjes.

Nisma e qeverisë vjen përpara një votimi në Dhomën e Lordëve mbi një amendament të paraqitur nga ish-ministri konservator i Arsimit, Lord Nash, i cili kërkon që platformat e mediave sociale të zbatojnë sisteme “shumë efektive” të kontrollit të moshës për të ndaluar aksesin e fëmijëve nën 16 vjeç.

Ndërsa një deputet laburist ka deklaruar se udhëheqja e partisë do ta kishte të vështirë të impononte disiplinë partiake ndaj këtij amendamenti, pasi kjo mund të shkaktonte një rebelim të brendshëm, të ngjashëm me atë të mëparshmin mbi përfitimet sociale.

Lord Nash e kritikoi qasjen e qeverisë, duke thënë se ajo “nuk ofron asgjë konkrete” për qindra mijëra prindër, mësues, mjekë, punonjës policie dhe ekspertë të sigurisë kombëtare që kërkojnë rritjen e kufirit të moshës.

“Sa më shumë të vonojmë, aq më shumë fëmijë i lëmë të ekspozuar ndaj rreziqeve”, tha ai, duke u bërë thirrje Lordëve të mbështesin amendamentin.

Ministrja e Teknologjisë, Liz Kendall, tha se qeveria synon të shkojë përtej kuadrit aktual të Aktit të Sigurisë Online, duke theksuar se shqetësimet e prindërve mbeten të forta.

“Ne duam që teknologjia të pasurojë jetën e fëmijëve, jo t’u shkaktojë dëm”, tha Kendall, duke shtuar se synimi është të garantohet që çdo fëmijë “të ketë fëmijërinë që meriton”.

Ndërkohë, Departamenti i Arsimit po forcon udhëzimet për përdorimin e telefonave celularë në shkollat e Anglisë, duke theksuar se ato duhet të funksionojnë si “hapësira pa celularë”, por pa vendosur një ndalim të detyrueshëm me ligj.

Inspektorati i arsimit Ofsted do të verifikojë nëse shkollat po zbatojnë në mënyrë efektive politikat për telefonat celularë, si pjesë e inspektimeve të sjelljes.

Sipas të dhënave zyrtare, 99.9% e shkollave fillore dhe 90% e shkollave të mesme kanë tashmë politika për përdorimin e celularëve, megjithatë 58% e nxënësve të shkollave të mesme pranojnë se telefonat përdoren pa leje gjatë mësimit, përqindje që rritet në 65% te grupmosha 14–16 vjeç.