Aksioni për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave të gjelbra, i nisur javën e kaluar në bashkëpunim me NP “Parqe dhe Gjelbërime”, do të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave. Vendimi për zgjatjen e këtij aksioni është marrë si rezultat i nevojave reale të evidentuara në terren, me qëllim që çdo hapësirë publike të trajtohet në mënyrë të plotë dhe cilësore.
Ekipet janë të angazhuara pa ndërprerje dhe aktualisht po vazhdojnë punimet në zonën e Fushë Topanës, ku për shkak të vëllimit më të madh të punëve realizohet pastrim i detajuar dhe krasitje e drunjve. Aksioni do të shtrihet edhe në lokacionet e tjera të planifikuara dhe do të përmbyllet, sipas agjendës, me ndërhyrjet përfundimtare në Parkun e Çairit.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së mjedisit urban dhe mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra, si pjesë e drejtpërdrejtë e përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve.




