Tentoi ta vriste gjyshen brenda shtëpisë, 28-vjeçari nga Manastiri rrahu barbarisht viktimën, përfundon në paraburgim dhe psikiatri

Tentoi ta vriste gjyshen brenda shtëpisë – 28-vjeçari nga Manastiri rrahu barbarisht viktimën, përfundon në paraburgim dhe psikiatri

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 28-vjeçari, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka tentuar të kryejë veprën penale – Vrasje, nga neni 123 paragrafi 2 pika 2, në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.

Gjatë ushtrimit të dhunës në familje, në shtëpinë ku jetonin së bashku në rrugën “Lavçanska Koria”, i dyshuari ka tentuar t’i marrë jetën gjyshes së tij.

Më 17 janar, pasi paraprakisht e kishte bllokuar dhe mbyllur derën hyrëse të shtëpisë me një sirtar, ai e ka goditur gruan me duar në kokë dhe trup derisa ajo ka humbur vetëdijen.
Si pasojë e goditjeve, i ka shkaktuar disa lëndime të rënda trupore, gjakderdhje dhe shtypje të trurit, thyerje të brinjëve dhe zhvendosje të eshtrave, me ç’rast jeta e viktimës është vënë në rrezik.

Pas ngjarjes, i dyshuari është arratisur, por brenda një kohe të shkurtër është arrestuar. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Manastir propozim për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për ndikim mbi dëshmitarët ose kryerjes së një vepre tjetër penale.

Njëkohësisht, deklaratat e disa dëshmitarëve tregojnë për ndryshime të fundit në sjelljen dhe gjendjen psikike të të dyshuarit, nga të cilat lind dyshimi se ai mund të vuajë nga ndonjë sëmundje mendore. Duke qenë se me mendim profesional propozohet vëzhgim i mëtejshëm i të dyshuarit, me qëllim kryerjen e vlerësimit mjekësor dhe ekspertizës psikiatrike, prokurori publik ka propozuar që gjykata, me vendim të posaçëm, pas caktimit të paraburgimit, ta dërgojë të dyshuarin për observim dhe ekspertizë në Spitalin Psikiatrik Publik Demir Hisar, për një periudhë prej së paku një muaji.