Nga gjykimi i rasteve më të mëdha deri te 350.000 euro të fshehura në mur: Profili i gjyqtarit të Apelit Gjoko Ristov

Gjykatësi Gjoko Ristov që nga viti 2020 është gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, ku gjatë viteve të fundit ka vendosur për disa nga çështjet më të mëdha dhe më të ndjeshme gjyqësore, në të cilat të akuzuar kanë qenë politikanë, biznesmenë dhe persona me pushtet dhe ndikim të madh. Paralelisht me punën e tij, në Këshillin Gjyqësor ka pasur ankesa me pretendime se disa lëndë mbaheshin në sirtar, ndërkohë që kërkohej ryshfet për zgjidhjen e tyre, veçanërisht në rastet ku Ristov ishte gjyqtar-raportues.

Një nga çështjet më të njohura ku ka gjykuar Ristov është “Target–Fortesa”, rasti i përgjimeve masive të paligjshme, ku i akuzuar ishte Sasho Mijallkov. Me shfuqizimin e aktgjykimit të Gjykatës Penale, çështja u vjetërsua, duke u mbyllur pa një vendim përfundimtar se kush i kishte përgjuar në mënyrë të paligjshme politikanët, gazetarët, biznesmenët dhe qytetarët. Këshilli i Apelit, ku bënin pjesë edhe gjyqtarët Niça, Bexheti, Mileva dhe Çaçeva, kishte mundësinë ta rihapte procedurën dhe të merrte një vendim përfundimtar pa e kthyer lëndën në rigjykim. Sipas informacioneve publike, lënda kishte qëndruar nëntë muaj në sirtar, në periudhën kur gjyqtar-raportues ishte Enver Bexheti, i cili më pas u shkarkua dhe u fut në listën e zezë të SHBA-së.

Ristov mori pjesë edhe në vendimmarrjen për paraburgimin e Mijallkovit në rastin “Trezor”, së bashku me Bexhetin, duke marrë vendim që ai të lirohej, edhe pse më parë kishte qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes penale. Bëhet fjalë për periudhën kur Mijallkov deklaroi se kishte qenë i sëmurë dhe nuk kishte vërejtur se për dy ditë ishte në kërkim.

Vendim për heqjen e paraburgimit u mor edhe në rastin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, ku së bashku me gjyqtaret Lirie Elezi Ajrullau dhe Tanja Mileva u pranua garanci pasurore.

Me votën e Ristovit u finalizua edhe rasti “27 Prilli”, ku Apeli e konfirmoi aktgjykimin, por uli dënimet. Të dënuarit edhe sot pretendojnë se janë dënuar padrejtësisht dhe kërkojnë rigjykim.
Ristov ishte gjyqtar-raportues edhe në rastin “TNT”, ku i dëmtuari Fijat Canovski e akuzoi publikisht se lënda mbahej qëllimisht në sirtar për t’u vjetërsuar dhe për të mos u realizuar dëmshpërblimi për rastin “Kosmos”.

Në opinion bëri jehonë edhe informacioni se lënda për vdekjen e lehonës Maja Kadieva nga Dojrani dhe foshnjës së saj, ku të akuzuar ishin dy gjinekologë, kishte qëndruar e pazgjidhur për tre vjet, ndërsa gjyqtar-raportues ishte Ristov. Aktgjykimi në Veles ishte marrë në vitin 2020, ndërsa Apeli, ku lënda i ishte ndarë Ristovit në maj 2023, vendosi vetëm një javë para vjetërsimit, duke i shpallur të akuzuarit fajtorë.

Ristov ka gjykuar edhe në rastet “Metastaza” (keqpërdorime me pensione invalidore), “Izgrev” (keqpërdorime financiare me pasurinë e BFI-së), si dhe “Albatros” dhe “Bumerang” për ryshfet te policët kufitarë. Në vitin 2012 ai kandidoi për kryetar të Gjykatës Penale, por humbi nga Vladimir Pançevski; më pas, në vitin 2020, u bë gjyqtar i Apelit. Zgjedhja e tij u votua njëzëri nga të 12 anëtarët, me vlerësime të shumta pozitive për karrierën e tij.

Sot, Gjoko Ristov dyshohet për përfitim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, për të cilën ka dyshime se është siguruar përmes korrupsionit dhe tregtisë me ndikim. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se gjatë një kontrolli në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, në një hapësirë të murosur në mur janë gjetur 350.000 euro, për të cilat dyshohet se janë të përfituara në mënyrë të paligjshme. Kontrollet dhe veprimet hetimore vazhdojnë.
Për momentin nuk ka informacion zyrtar nëse Ristov është arrestuar dhe nëse do të kërkohet paraburgim. Nëse propozohet një masë e tillë, Prokuroria do t’i paraqesë propozim gjykatës, pas së cilës Këshilli Gjyqësor duhet të vendosë për heqjen e imunitetit gjyqësor, si kusht për një paraburgim të mundshëm në Burgun Hetues “Shutkë”.