Ministri i Jashtëm kinez: “Koha e duhur” që Kina dhe Afrika të forcojnë besimin strategjik

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi theksoi të hënën se është koha e duhur që Kina dhe Bashkimi Afrikan (BA) të forcojnë besimin e ndërsjellë strategjik, të përafrojnë strategjitë dhe të thellojnë bashkëpunimin strategjik.

Wang, njëherësh anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), i tha këto gjatë një interviste për mediat kineze pasi përfundoi vizitat në BA, Etiopi, Tanzani dhe Lesoto.

Kina dhe BA, përkatësisht si vendi më i madh në zhvillim dhe organi kontinental me numrin më të madh të vendeve në zhvillim, duhet të forcojnë më tej solidaritetin dhe të përballojnë së bashku sfidat e tanishme, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme të Kinës e Afrikës dhe për të dhënë kontributin e tyre në paqen dhe zhvillimin global, u shpreh ai.

Gjatë këtij turneu vizitash, Kina dhe BA-ja mbajtën së bashku dialogun e nëntë strategjik e nisën Vitin e Shkëmbimeve Njerëzore Kinë-Afrikë në selinë e BA-së.

Kjo shënon vitin e 36-të radhazi që Afrika ka qenë destinacioni i udhëtimit të parë jashtë vendit të një ministri të jashtëm kinez në vitin e ri.

Ndërsa sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe vendeve afrikane, Wang tha se Viti i Shkëmbimeve Njerëzore Kinë-Afrikë, si një “vitrinë” e arritjeve të bashkëpunimit Kinë-Afrikë, do të bashkojë të rinjtë, kulturën, mediat dhe sektorët e tjerë me anë të afro 600 aktiviteteve të shkëmbimeve, që mbulojnë fusha të ndryshme të marrëdhënieve kino-afrikane.

Wang vuri në dukje pa me kënaqësi arritjet e reja në zhvillimin e Afrikës gjatë vizitës së tij, duke shtuar që tregu i madh i Kinës do të ofrojë mundësi më të gjera për zhvillimin e këtij kontinenti.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i kushtojë më shumë vëmendje Afrikës dhe të rrisë investimet aty.

Wang shprehu gatishmërinë e palës kineze për të bashkëpunuar me vendet afrikane për të ndërtuar platforma të institucionalizuara dhe për t’i mbështetur ato në eksplorimin aktiv të rrugëve të suksesshme, që plotësojnë kërkesat e tyre aktuale, favorizojnë publikun e gjerë dhe shfrytëzojnë plotësisht burimet e këtyre vendeve.

Vetëm kur Kina dhe Afrika të bashkohen për të ecur drejt modernizimit, bota mund të arrijë modernizimin dhe pa modernizimin e Afrikës, nuk mund të ketë modernizim të botës, tha Wang.

Ai vuri në dukje që gjatë vizitës, miqtë afrikanë ritheksuan të gjithë angazhimin e tyre ndaj parimit të “një Kine” dhe shprehën mbështetjen e tyre për përpjekjet e Kinës për të arritur ribashkimin kombëtar.