Hekurudha e Hong-Kongut do të lidhet me më shumë destinacione në pjesën kontinentale të Kinës





Seksioni i Hong-Kongut i rrjetit hekurudhor me shpejtësi të lartë do të lidhet me 16 destinacione të reja në pjesën kontinentale të Kinës nga 26 janari, njoftoi të dielën operatori hekurudhor, Korporata MTR.

Destinacionet e reja do ta lidhin Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut me qytete turistike të njohura, duke përfshirë Nankinin dhe Wuxi-në në provincën Jiangsu dhe Hefei-n në provincën Anhui të Kinës Lindore. Ky zgjerim do ta çojë numrin e përgjithshëm të destinacioneve ku mund të arrihet drejtpërdrejt nga stacioni “West Kowloon” i Hong-Kongut në 110, sipas Korporatës MTR.

Stacioni “West Kowloon” i Hong-Kongut/Foto nga VCG

Ndërkohë, treni me shtretër midis Hong-Kongut dhe stacionit “Hongqiao” të Shangait do të bëhet ditor, nga e premtja deri të hënën që ishte më parë. Edhe denduria e trenave, si ata që shkojnë dhe vijnë prej stacionit Guangzhounan (Guangzhou Jugor) do të rritet gjithashtu.

Jeny Yeung, drejtoresha ekzekutive e Korporatës MTR, tha se kjo kompani ka punuar ngushtë me departamentet qeveritare të Hong-Kongut dhe ato të pjesës kontinentale të vendit, si edhe me autoritetet hekurudhore përkatëse, për të shtuar vazhdimisht destinacione të reja dhe për të përmirësuar shërbimet, duke lehtësuar më tej udhëtimin ndërrajonal, duke çliruar potencialin ekonomik të hekurudhës me shpejtësi të lartë dhe duke mbështetur zhvillimin kombëtar.