SHBA thirrje qytetarëve të saj: Largohuni menjëherë nga Venezuela, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme
Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të Shteteve të Bashkuara që ndodhen në Venezuelë të largohen nga vendi menjëherë, duke paralajmëruar për përkeqësim të situatës së sigurisë.
“Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme”, deklaroi Departamenti i Shtetit, një javë pas kapjes së liderit venezuelian Nicolas Maduro.
Sipas njoftimit zyrtar, me rifillimin e fluturimeve ndërkombëtare, qytetarët amerikanë duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’u larguar sa më shpejt nga vendi.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që paraqesin milicitë e armatosura të njohura si “colectivos”, të cilat sipas njoftimit kryejnë kontrolle të automjeteve në rrugë, duke kërkuar shtetas amerikanë ose prova të mbështetjes ndaj Shteteve të Bashkuara.
Departamenti i Shtetit u ka rekomanduar qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të sigurisë.