Lideri iranian: Protestuesit janë vandalë se përpiqen t’i bëjnë qejfin Trumpit

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka përshkruar protestuesit antiqeveritarë si “shqetësues” që po përpiqen “t’i bëjnë qejfin presidentit të SHBA-së”. Në një fjalim televiziv të premten, ai theksoi se Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë atyre që sfidojnë autoritetin e saj dhe paralajmëroi për masa të ashpra kundër protestuesve.

Irani gjithashtu i dërgoi një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke fajësuar SHBA-në për nxitjen e dhunës dhe “vandalizmit të përhapur” gjatë protestave.

Protestat, që kanë hyrë në ditën e tyre të 13-të, shpërthyen fillimisht për shkak të gjendjes ekonomike dhe janë shndërruar në të gjitha vendin në lëvizjen më të madhe antiqeveritare të viteve të fundit, me thirrje për të rrëzuar Republikën Islamike dhe disa që kërkojnë rivendosjen e monarkisë, shkruan BBC.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, të paktën 48 protestues dhe 14 pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën, ndërsa janë arrestuar më shumë se 2,200 persona. Ndërprerja e internetit ka bërë të vështirë raportimin dhe verifikimin e informacioneve nga vendi.

Trump tha nga Shtëpia e Bardhë se Irani “është në telashe të mëdha” dhe se SHBA po ndjek situatën me kujdes, duke shtuar se nuk do të dërgojë trupa në terren, por do të veprojë nëse autoritetet iraniane “fillojnë të vrasin njerëz”. Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit, i bëri thirrje Trumpit që të jetë i gatshëm për të mbështetur popullin iranian.

Bashkimi Evropian dhe vendet e fuqishme perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, shprehën shqetësim për përdorimin e forcës nga qeveria iraniane dhe kërkuan mbrojtjen e të drejtës për tubime paqësore.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë forcuar retorikën e tyre, duke paralajmëruar për “veprime vendimtare” kundër protestuesve që i cilësojnë “vandalë të armatosur” dhe “shkatërrues të sigurisë”. Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik tha se nuk do të tolerojë “akte terroriste” dhe do të vazhdojë operacionet për të parandaluar destabilizimin.

Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se ndërprerja e internetit rrit rrezikun e dhunës së përhapur dhe vrasjeve masive. Situata mbetet e tensionuar në qytetet kryesore iraniane, ku protestuesit vazhdojnë të demonstrojnë, duke brohoritur “vdekje diktatorit” dhe duke sfiduar autoritetin e Khameneit.