“Nuk më duhet e drejta ndërkombëtare, vetëm morali im mund të më kufizojë”, thotë Trump





Donald Trump deklaroi se nuk i nevojitet e drejta ndërkombëtare dhe se kompetencat e tij kufizohen vetëm nga morali i tij.
“E vetmja gjë që e kufizon fuqinë time si president i SHBA-së është morali im, mendja ime. Kjo është e vetmja gjë që mund të më ndalojë. Nuk dua t’i lëndoj njerëzit”, tha ai në një intervistë për New York Times.
I pyetur nëse administrata e tij duhet t’i përmbahet së drejtës ndërkombëtare, Trump u përgjigj:
“Po, por varet nga përkufizimi juaj për të drejtën ndërkombëtare”.
Ai është kritikuar nga shumë shtete se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me aksionin ushtarak në Venezuelë, gjatë të cilit u kap Nicolas Maduro, por i hodhi poshtë shqetësimet se kjo mund të krijojë precedent për marrjen e Tajvanit nga Kina. Trump përsëriti pretendimet e tij kontroverse se Maduro kishte dërguar anëtarë bandash në SHBA.
“Kjo ishte një kërcënim real. Nuk ka fluks njerëzish dhe droge në Kinë. Nga burgjet e Tajvanit nuk dërgohen njerëz në Kinë. Nuk besoj se Xi Jinping do ta marrë Tajvanin. Do të isha shumë i pakënaqur nëse do ta bënte dhe mendoj se nuk do ta bëjë, të paktën jo sa kohë që unë jam president i SHBA-së”, tha Trump.
Ai shtoi se qeveria e tij po shqyrton disa opsione për të marrë kontrollin mbi Groenlandën.
“Ndoshta do të duhet të zgjedhim mes kontrollit të Groenlandës dhe ruajtjes së NATO-s”, deklaroi Trump.