Publikohet imazhi i parë i njeriut përgjegjës për aksidentin e tmerrshëm të Joshuas: Ai përballet me burgim të përjetshëm
Një foto e Adeniyi Kayode, shoferit 47-vjeçar të Anthony Joshuas, i cili shkaktoi një aksident fatal me makinë që la të vdekur dy persona, është publikuar për herë të parë.
Kayode u akuzua për shkaktimin e një aksidenti trafiku në të cilin mbetën të vdekur dy burra, ndërsa Joshua gjithashtu pësoi lëndime të lehta.
47-vjeçari akuzohet për drejtim mjeti të pakujdesshëm, ku përplasi Lexus-in e tij me një kamion të parkuar në një autostradë në Nigeri. Kayode është paraqitur për herë të parë në një gjykatë në Sagamu, ku akuzohet për drejtim mjeti të rrezikshëm që shkaktoi vdekjen, drejtim mjeti të pakujdesshëm dhe neglizhent, si dhe mungesë leje drejtimi.
Ai përballet gjithashtu me akuza për drejtim mjeti pa kujdes, shkaktim të lëndimeve trupore dhe dëmtim të pronës, dhe përballet me burgim të përjetshëm.
Adeniyi Kayode
Në të njëjtën kohë, shoferi i kamionit, me të cilin u përplas Lexus, është ende në arrati pasi është larguar nga vendi i aksidentit.
Zëdhënësi i policisë, Oluseyi Babaseyi, theksoi se të akuzuarit Kayode iu dha një garanci prej 3,500 dollarësh me dy garantues. Ai u la në paraburgim derisa të përmbushen kushtet e garancisë.
“Klienti im është deklaruar i pafajshëm dhe se ajo që ndodhi ishte një aksident. Nuk kam pasur ende mundësi të flas me të, por e di që ai thotë se frenat dështuan”, tha avokati i Kayode, Olalekan Abiodun.
Dalin pamjet e frikshme të aksidentit që pësoi Anthony Joshua
Avokati zbuloi gjithashtu fatin e jashtëzakonshëm të Joshuas në këtë aksident tragjik me makinë. Joshua ishte ulur në ulësen e përparme në fillim të udhëtimit, por më vonë u zhvendos në ulësen e pasme sepse nuk mund të ulej siç duhet.
Trajneri dhe miku i tij që vdiqën në aksident ishin pikërisht të ulur në ulësen e përparme. /Telegrafi/
