Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën në mbrëmje se Venezuela do t’i dorëzonte Shteteve të Bashkuara 30 deri në 50 milionë fuçi naftw, të cilat do të shiten me vlerën e tregut, ndërsa të ardhurat do të kontrollohen nga SHBA.
Trump tha në Truth Social se autoritetet e përkohshme në Venezuelë do të dorëzojnë “naftën e sanksionuar”.
SHBA do t’i përdorin të ardhurat “për të mirën e popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara!”, shkroi ai.
Sekretari i Energjisë Chris Wright është urdhëruar që “ta zbatojë menjëherë këtë plan”. Nafta do të “transportohet në anijet amerikane të magazinimit dhe do të çohet direkt në portet e shkarkimit në Shtetet e Bashkuara”, vuri në dukje Trump.
Një zyrtar i lartë i administratës, duke folur në kushte anonimiteti, i tha CNN se nafta është prodhuar tashmë dhe është gati për t’u shkarkuar. Pjesa më e madhe e saj është aktualisht në anije dhe tani do të shkojë në objektet amerikane në Gjirin Persik për rafinim.
Edhe pse 30 deri në 50 milionë fuçi naftë tingëllon si shumë, Shtetet e Bashkuara konsumuan pak më shumë se 20 milionë fuçi naftë në ditë muajin e kaluar, raporton CNN.
Nafta venezueliane aktualisht tregtohet me 55 dollarë për fuçi, kështu që nëse Shtetet e Bashkuara mund të gjejnë blerës të gatshëm të paguajnë çmimin e tregut, mund të fitojnë midis 1.65 miliardë dhe 2.75 miliardë dollarë nga shitja.
Venezuela ka grumbulluar rezerva të konsiderueshme të naftës bruto që kur Shtetet e Bashkuara filluan embargon e naftës në fund të vitit të kaluar.
Sipas CNN, nafta pothuajse me siguri vjen nga depozitimi në tokë dhe nga disa cisterna nafte të sekuestruara.
Është e paqartë se brenda çfarë afati kohor Venezuela do t’ia dorëzojë naftën Shteteve të Bashkuara.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se transferimi do të ndodhte shpejt sepse nafta bruto venezueliane është shumë e rëndë, që do të thotë se nuk mund të ruhet për një kohë të gjatë./Reporteri.net/
