Sefer Selimi: Shtet i bllokuar, shqiptarë të anashkaluar: Pse zgjedhjet e parakohshme po bëhen të pashmangshme
Sefer Selimi
Zgjedhjet e parakohshme janë gjithnjë e më të pashmangshme dhe nëse ndodhin, do të ndodhin për arsye që objektivisht i shkojnë në favor Mickoskit. Për shqiptarët ndërkaq, ato duhet të shërbejnë si moment reflektimi dhe vetëdijesimi si për partitë në opozitë, ashtu edhe, madje më shumë, për ato në qeveri.
Këta të fundit nuk janë aspak rehat në lëkurën e tyre. Me përjashtim të 10–15 individëve të cilëve “u ka rënë luga në mjaltë”, pjesa dërrmuese e ndjen çdo ditë sa të pavlerë janë në sytë e kësaj qeverie: marrin pjesë, por nuk vendosin; përfaqësojnë, por vetëm si dekor; janë të pranishëm, por të padukshëm.
Nuk e kanë të lehtë. Nuk e kanë të lehtë as shumica e atyre që kanë funksione në qeveri. Nuk e kanë të lehtë as figurat kryesore partiake që kanë dhënë qindra premtime dhe dhjetëra garanci publike, e sot shohin se janë të shpërfillur plotësisht. Nuk e kanë të lehtë as liderët e partive të koalicionit që janë poshtëruar publikisht. Nuk e kanë të lehtë as militantët të cilët janë detyruar të arsyetojnë vendime për të cilat, në një pozicion tjetër, do të çirreshin duke drejtuar gishtin. Nuk e kanë të lehtë as votuesit e tyre, cilado qoftë arsyeja pse i kanë votuar, që sot duhet të pajtohen me pasojat e atij vendimi.
Kjo qeveri, në këtë format dhe me këtë koncept nuk i dëmton vetëm shqiptarët apo marrëdhëniet ndëretnike në afat të gjatë. Ajo e bllokon vetë shtetin, perspektivën dhe mirëqenien e qytetarëve.
– Situata makroekonomike është e paqëndrueshme deri në pikën që vë në pikëpyetje funksionimin elementar të shtetit.
– Orientimi gjeopolitik është në kundërshtim të hapur me interesat strategjike afatgjata të vendit.
– Rezultatet janë larg çdo minimumi optimal, në pothuajse çdo segment.
Për partitë shqiptare sfida kryesore mbetet gjetja e një gjuhe të përbashkët për mbylljen, njëherë e përgjithmonë, të disa temave kyçe për organizimin e shtetit:
• përfaqësimi real i vullnetit politik të shqiptarëve/legjitimiteti dhe pjesëmarrja në vendimmarrje;
• shpërndarja e drejtë e financave publike dhe decentralizimi;
• orientimi i qartë pro-evropian dhe ruajtja e partneriteteve strategjike të shtetit.
Këto janë sfida që kërkojnë një dakordësi më të gjerë shoqërore e në veçanti një marrëveshje të sinqertë dhe të qëndrueshme mes vetë shqiptarëve.
PS. E di që mund të tingëlloj më shumë si dëshirë naive se sa një mundësi reale politike, por unë dua ende të besoj se ndërgjegja kolektive nuk ka vdekur.
