Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpreson që faza e dytë e planit të paqes për Gazën të arrihet “shumë shpejt”, ndërsa ka paralajmëruar Hamasin se do të ketë “pasoja të rënda” nëse nuk çarmatoset brenda një afati të shkurtër, sipas “CBS News”
Deklarata e tij erdhi gjatë një konference për shtyp pas takimit që Trump zhvilloi dje në Florida me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Plani amerikan i paqes, i përbërë nga 20 pika, parashikon çarmatimin e Hamasit si kusht kyç për kalimin në fazën e dytë.
“Sa më shpejt që të jetë e mundur. Por duhet të ketë çarmatim”, tha Trump, duke shtuar se Hamasi është angazhuar për këtë hap.
“Nëse nuk çarmatosen siç kanë rënë dakord, atëherë do të ketë pasoja të rënda për ta”, theksoi ai.
Trump deklaroi gjithashtu se Izraeli kishte zbatuar 100% planin, pavarësisht vazhdimit të operacioneve ushtarake izraelite në Gaza pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Faza e parë e planit të paqes hyri në fuqi në tetor. Sipas fazës së dytë, Gaza do të qeveriset nga një administratë teknokratike, Hamasi do të çarmatoset dhe trupat izraelite do të tërhiqen nga territori, duke hapur rrugën për rindërtimin.
Megjithatë, kritikët kanë shprehur shqetësimin se qeveria e Netanyahu-t mund të kërkojë të vonojë zbatimin e fazës së dytë – duke kërkuar çarmatimin e plotë të Hamasit përpara tërheqjes së trupave izraelite.
Netanyahu është akuzuar se nuk është i gatshëm të angazhohet seriozisht për një zgjidhje politike afatgjatë për palestinezët.
Nga ana e tij, Hamasi ka deklaruar se çarmatimi i plotë duhet të shoqërohet me një progres konkret drejt krijimit të një shteti të pavarur palestinez.
I pyetur nëse ishte i shqetësuar për ritmin e Izraelit drejt fazës së dytë të planit, Trump nënvizoi se vëmendja e tij ishte e përqendruar te palët e tjera që nuk po bënin atë që duhej.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të paktën 414 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite.
Ushtria izraelite ka deklaruar se ka sulmuar vetëm në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit dhe ka fajësuar Hamasin për vrasjen e tre ushtarëve izraelitë gjatë së njëjtës periudhë.
Gjatë konferencës, Trump paralajmëroi gjithashtu Iranin, duke thënë se SHBA-ja do të ndërmerrte sulme të reja nëse Teherani rifillonte programet për armë bërthamore ose raketa balistike.
Ai pretendoi se sulmet amerikane në qershor kishin “shkatërruar plotësisht” objektet bërthamore iraniane, një pretendim që Irani e ka mohuar.
Trump tha se kishte lexuar raportime sipas të cilave Irani mund të ishte duke përdorur lokacione të tjera për aktivitete bërthamore.
Irani reagoi duke i cilësuar këto raportime si “operacione psikologjike” dhe paralajmëroi se çdo agresion i ri do të përballej me një përgjigje të ashpër dhe të menjëhershme.
Takimi Trump-Netanyahu pati në fokus edhe tensionet rajonale në Siri dhe Liban.
Netanyahu tha se Izraeli kërkonte një kufi të qetë me Sirinë, ndërsa Trump shprehu besimin se Izraeli do të bashkëpunonte me presidentin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, i cili mori pushtetin pas rrëzimit të Bashar al-Assad, vitin e kaluar.
