Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka vazhduar aktivitetet e saj elektorale në qytetin e Gostivarit, duke u takuar nga afër me qytetarët në sheshin qendror të qytetit. Aktiviteti u realizua në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 janarit dhe përfshiu shpërndarjen e materialeve informuese dhe pijeve të ngrohta për qytetarët.
Ngjarja u organizua nga forumet rinore të partive që përbëjnë koalicionin AKI, ndërsa në të morën pjesë kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, si dhe kryesuesi i Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi. Ky i fundit vlerësoi se aktiviteti shërbeu si mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë me një numër të madh qytetarësh, prej të cilëve, sipas tij, janë dëgjuar mesazhe mbështetëse për zgjedhjet e ardhshme.
Xhaferi theksoi se edhe në takimet e tjera të realizuara gjatë fushatës, qytetarët kanë shprehur pritshmëri pozitive për rezultatin zgjedhor, duke e cilësuar 11 janarin si një datë vendimtare për të ardhmen e Gostivarit.
Ndërkohë, fushata e AKI-së do të vazhdojë edhe sonte në fshatin Çegran, ku kandidati për kryetar komune Valbon Limani, së bashku me përfaqësues të koalicionit, pritet të prezantojë vizionin dhe prioritetet për zhvillimin e komunës në katër vitet e ardhshme.
