Bislimoski: Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme





Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike nuk mund të shmangej, deklaroi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, në një intervistë për emisionin “360 gradë” në MRT 1.

Sipas Bislimoskit, pavarësisht përpjekjeve të Komisionit që të ulë kostot në pjesët ku ka kompetenca rregullatore, gjendja financiare e “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM) ka imponuar rritjen e çmimit të rrymës. Ai theksoi se duhet të ketë mirëkuptim për ESM-në, e cila po përballet me vështirësi serioze financiare dhe po operon me humbje.

“ Në pjesën ku ne i rregullojmë çmimet, konkretisht te tarifat e rrjetit, e kemi ulur çmimin e transmetimit dhe shpërndarjes dhe në total e kemi ulur për 5 për qind, sepse kishte hapësirë për një gjë të tillë. E kemi ulur çmimin e MEPSO-s, të ‘Elektrodistribucionit’, si dhe të MEMO-s. Sa i përket ESM-së, të gjithë duhet të tregojmë mirëkuptim. Situata është e vështirë, ESM punon me humbje dhe është kompani shtyllë në sektorin energjetik. Për ekzistencën e ESM-së nuk ka plan B. Ajo duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha, të rrisë prodhimin e energjisë elektrike dhe gradualisht të shihet jo vetëm si kompani prodhuese, por edhe si kompani që, përveç prodhimit, merret edhe me shitjen e energjisë elektrike”, deklaroi Bislimoski.

Ai shtoi se stabilizimi i ESM-së është kyç për sigurinë energjetike të vendit dhe se pa konsolidimin e saj financiar nuk mund të ketë sektor energjetik të qëndrueshëm.