Gjatë vizitës së sotme në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, u ndal edhe te të dhënat e fundit statistikore lidhur me varfërinë në vend informon Tetovasot.
Sipas Mickoskit, shkalla e varfërisë në vitin 2024 ka shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2023 dhe paraqet nivelin më të ulët që nga viti 2020.
“Sa i përket shkallës së varfërisë, dua të theksoj se në vitin 2024 ajo është më e mirë se në vitin 2023 dhe më e mira nga viti 2020 e këndej. Nëse në vitin 2020 shkalla e varfërisë ka qenë 23%, në vitin 2023 ka qenë 22,2%, ndërsa në vitin 2024 ajo është 21,9%”, deklaroi kryeministri.
Ai foli edhe për pabarazinë e të ardhurave, duke theksuar se indeksi Gini ka shënuar rezultatet më të mira në katër vitet e fundit.
“Kur bëhet fjalë për pabarazinë e të ardhurave, përkatësisht indeksin Gini, në vitin 2024 ai ka rënë nga 33,3% në 29,1% dhe është më i miri në rajon”, u shpreh Mickoski.
Sipas tij, ky është rasti i parë në 30 vitet e fundit që indeksi Gini bie nën 30 për qind, duke qenë më i ulët edhe se mesatarja evropiane. Kjo, siç theksoi kryeministri, tregon një barazi më të madhe në shpërndarjen e të ardhurave mes qytetarëve.
