Italia bllokon asetet e Hamasit, 9 të arrestuar dhe 8 milionë € të sekuestruara





Policia italiane arrestoi 9 persona të lidhur me financimin e lëvizjes së Hamasit përmes shoqatave të bamirësisë, të cilat kishin grumbulluar 7.3 milionë euro për grupin militant.

Agjentë të policisë dhe Guardia di Finanza ekzekutuan urdhër-arrestet dhe sekuestruan asete me vlerë mbi 8 milionë euro, pas udhëzimeve të marra nga Drejtoria Rajonale e Antimafias dhe Antiterrorit në Xhenova.

Hetimi, që kishte nisur përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, hodhi dritë mbi atë që prokurorët e quajtën një rrjet kompleks financiar ndërkombëtar, që i realizonte transfertat e parave përmes tre subjekteve italiane me bazë në Xhenova dhe Milano.

Hetuesit deklaruan se 7 nga të arrestuarit ishin anëtarë të krahut të operacioneve të jashtme të Hamasit, ndërsa 2 të tjerët ofronin mbështetje.

Mohammad Hannoun, 63 vjeç dhe president i Shoqatës së Palestinezëve të Italisë dhe themelues i Shoqatës së Bamirësisë dhe Solidaritetit me Popullin Palestinez u identifikua nga hetuesit si lideri i celulës.

Prokurorët thanë se 71 për qind e donacioneve të grumbulluara nga shoqatat në fjalë shkonin për subjekte të kontrolluara ose të lidhura direkt me Hamasin.

Sipas dosjes hetimore, të dyshuarit i shmangnin kontrollet bankare duke krijuar vazhdimisht shoqata të reja, pasi institucionet financiare italiane iu mbyllën llogaritë pas sinjalizimeve të shërbimeve të inteligjencës izraelite dhe amerikane.