Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Stoilkoviç, po vazhdon të shfaqë arrogancë politike dhe sjellje që bien ndesh me parimet e barazisë, bashkëjetesës dhe rendit demokratik të shtetit.
Duhet t’i bëhet e qartë se koha e arrogancës politike dhe e privilegjeve të trashëguara nga e kaluara ka përfunduar.
Serbët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë një pakicë kombëtare prej rreth 1.7% të popullsisë së përgjithshme. Gjatë periudhës së ish-Federatës Jugosllave, pushteti politik dhe ushtarak ishte kryesisht në duart e Serbisë, ndërsa Armata Popullore Jugosllave funksiononte pothuajse tërësisht nën kontroll serb.
Kjo u mundësoi strukturave ushtarake dhe administrative serbe të shpërndaheshin në të gjitha republikat, duke krijuar prani dhe privilegje që, fatkeqësisht, kanë lënë pasoja edhe sot.
Këto privilegje të trashëguara vazhdojnë të reflektohen në përpjekje për diskriminim ndaj popujve të tjerë, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Rasti i fundit, ku Stoilkoviçi ka larguar nga puna shtatë punonjës shqiptarë, ngre dyshime serioze për diskriminim etnik dhe keqpërdorim të pozitës shtetërore.
Është e domosdoshme të theksohet se koha e diktaturës dhe e dominimit serb ka perënduar, bashkë me politikat represive të epokës së Millosheviçit.
Maqedonia e Veriut është shtet demokratik, i bazuar në barazi qytetare dhe respekt të ndërsjellë mes komuniteteve.
Çdo tentativë për të rikthyer presionin etnik, frikën apo arrogancën politike është e papranueshme dhe e shkëputur nga realiteti i sotëm politik dhe shoqëror.
Koha e imponimit ka marrë fund. Barazia dhe ligji janë mbi të gjithë.
