Koreja e Veriut ka publikuar të enjten pamje të reja të asaj që e cilëson si nëndetësja e saj e parë me energji bërthamore, një mjet luftarak i përmasave të mëdha, i krahasueshëm me disa nga nëndetëset sulmuese të Marinës së Shteteve të Bashkuara, transmeton A2. Fotografitë e transmetuara nga media shtetërore tregojnë liderin Kim Jong Un duke inspektuar nëndetësen në një objekt ndërtimi të mbyllur, çka tregon se ajo ende nuk është hedhur në det.
Sipas Penianit, nëndetësja ka një peshë prej rreth 8700 tonësh dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në strategjinë e re të mbrojtjes së vendit, të cilën Kim e përshkruan si të bazuar në “fuqinë më të fortë sulmuese”. Ai e cilësoi planin e Koresë së Jugut për zhvillimin e nëndetëseve bërthamore si një “akt agresiv” që, sipas tij, kërcënon sigurinë e Koresë së Veriut.
Ekspertët theksojnë se nëndetëset me energji bërthamore kanë avantazhe të mëdha, pasi mund të qëndrojnë nën ujë për periudha shumë të gjata, praktikisht me vite, janë më të shpejta dhe më të vështira për t’u zbuluar. Megjithatë, analistët vlerësojnë se flota detare e Koresë së Veriut mbetet ende inferiore ndaj asaj të Koresë së Jugut, pavarësisht këtij zhvillimi.
Pamjet kanë nxitur gjithashtu spekulime politike, pasi Kim Jong Un u shfaq i shoqëruar nga vajza e tij, Kim Ju Ae, duke forcuar zërat se ajo mund të përgatitet si pasardhëse e ardhshme.
