VLEN: Fryrje rekord nga Taravari, sallë këshilli 50 mijë, faturë 750 mijë euro

E vërteta, kur dokumentohet, bëhet e pakthyeshme. Sot, faktet flasin më fort se çdo propagandë dhe çdo tentativë për t’u fshehur pas fjalëve boshe. Në Gostivar është realizuar një nga abuzimet më të rënda financiare që ka parë ndonjëherë pushteti lokal në Maqedoninë e Veriut. Një sallë e Këshillit Komunal, e cila teknikisht dhe funksionalisht mund të ndërtohej me një kosto maksimale prej 50 mijë eurosh, është ndërtuar me një çmim skandaloz prej rreth 750 mijë euro.

Kjo nuk është gabim. Nuk është interpretim. Nuk është debat politik. Kjo është keqpërdorim i rëndë i parasë publike. Dokumenti ekziston. Shifra ekziston. Dhe dokumenti është i nënshkruar nga Arben Taravari.

Një rast i tillë nuk ekziston në asnjë komunë të Maqedonisë së Veriut. Dyshimi i arsyeshëm është se një keqpërdorim i kësaj përmase nuk gjendet as në komunat e rajonit. Ky është rekord i turpit dhe i papërgjegjshmërisë institucionale.

Prandaj, përgjegjësia nuk është kolektive, as abstrakte. Përgjegjësia ka emër dhe mbiemër: Arben Taravari.

VLEN nuk flet me prejudikime, por me fakte. Dhe faktet nuk mund të fshihen, as të relativizohen, sado zëshëm të bërtitet për to. Ky është modeli i qeverisjes që qytetarët e Gostivarit e kanë përjetuar: luks për pushtetin, varfëri për qytetarët; shpenzim i pakontrolluar, mungesë llogaridhënieje dhe përçmim i interesit publik.

Më 11 janar, kjo histori merr fund. Qytetarët e Gostivarit do të flasin qartë dhe me një zë për Nevzat Bejtën. Ata do ta dërgojnë Arben Taravarin dhe klikën e tij politike në fundin politik, njësoj siç në tetor u fundos përfundimisht edhe koalicioni i tij shirit ngjitës, pa busull dhe pa parime, i njohur si AKI.

VLEN nuk mbulon krimin, nuk relativizon korrupsionin dhe nuk negocion me të vërtetën. Gostivari meriton drejtësi, ndershmëri dhe një fillim të ri. Koha e abuzimit ka përfunduar.