Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka deklaruar sonte në emisionin “Click Plus” në TV 21 se kundërkandidati i tij, Nevzat Bejta, po flet dhe po premton projekte të cilat tashmë janë të aprovuara ose kanë filluar të realizohen nga administrata aktuale komunale.
Sipas Limanit, Bejta në takimet me strukturat e veta po përsërit projekte që tashmë janë pjesë e programit dhe platformës së AKI-së dhe për të cilat është punuar me përkushtim gjatë 18 muajve të fundit.
“Më treguan se Nevzat Bejta i përsërit projektet e mia në takime me strukturat e veta. Bëhet fjalë për projekte që tashmë i dimë, janë të gatshme dhe janë në programin tonë. Patjetër që duhet të dalë me diçka dhe të thotë se do të bëjë diçka, për projekte për të cilat ne kemi punuar me shumë përkushtim,” deklaroi Limani.
Ai bëri të ditur se gjatë 18 muajve sa ka ushtruar detyrën janë aprovuar mbi 60 projekte, një pjesë e të cilave janë gati për realizim, ndërsa disa tashmë kanë filluar.
“Kemi pasur mbi 60 projekte të aprovuara për 18 muaj. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë të gatshme dhe do të fillohet me punë në pranverë, ndërsa disa veçmë kanë filluar,” tha Limani.
Si shembull konkret, Limani përmendi hapjen e rrugës së re që lidh fshatrat Çajlë, Forinë dhe Çegran me qytetin e Gostivarit, projekt që sipas tij është në vijim e sipër dhe ka rëndësi të veçantë për tre fshatrat në fjalë.
“Njëri prej projekteve më të rëndësishme është hapja e rrugës ndërmjet Çajlës dhe Forinës, e cila lidhet deri në Gostivar. Ajo tashmë është në vijim e sipër. Më thanë se Bejta qenka lavdëruar se do ta hapë atë rrugë, por nuk qenka i informuar mirë dhe nuk ka qenë në Gostivar, sepse ajo rrugë tashmë po hapet dhe punohet në realizimin e saj,” theksoi Limani.
Ai shtoi se kjo rrugë ka qenë e premtuar për 20 deri në 30 vite dhe se më në fund ka filluar të realizohet.
Limani përmendi gjithashtu edhe projekte të tjera që janë në fazë realizimi, përfshirë bulevardin kryesor “Vëllezërit Gjinoski”, si dhe projekte të shumta infrastrukturore në të gjithë territorin e Komunës së Gostivarit.
Sipas tij, kundërkandidati Nevzat Bejta po përpiqet të përvetësojë projekte që tashmë janë në proces, përfshirë edhe zgjerimin e urës mbi lumin Vardar në afërsi të Gjykatës dhe hapjen e rrugëve të reja, duke theksuar se qytetarët e Gostivarit janë dëshmitarë të punëve që tashmë kanë filluar në terren.
