Sllaveski: Pagat nuk duhet të rriten në mënyrë administrative

Banka Popullore mbetet në vlerësimin se inflacioni në vitin 2025 do të jetë 3.9 për qind në baza vjetore. Ata thonë se rritja e çmimeve është ngadalësuar, por që të vijë deri te relaksimi i politikës monetare, e me këtë edhe ulja e normave të interesit për kreditë, nuk duhet të lejohet rritje administrative e pagave në vend, veçanërisht e pagës minimale. Guvernatori Trajko Sllaveski thotë se duhet të respektohet Ligji, i cili është i qartë për mënyrën e harmonizimit të pagave.

“Sigurisht, kur flas për të ardhurat, nuk mendoj vetëm për pagat, këtu përfshihen edhe pensionet, por kjo është një çështje krejt tjetër. Sepse mendoj se presionet gjatë 7–8 viteve të fundit kanë qenë shumë më të theksuara në fushën e parë, në fushën e pagave, sesa në fushën e dytë”, tha Trajko Sllaveski – Guvernator i Bankës Popullore.

Ndërkohë, dje Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore vendosi një mekanizëm të ri, atë të obligacioneve shtetërore shtatëditore. Qëllimi është që sinjalet që dërgohen përmes masave dhe politikave monetare të zbatohen më lehtë nga sektori bankar. Kjo masë vjen pas disa vitesh vonesë dhe ankandi i parë i këtyre obligacioneve, me normë interesi prej 4 për qind, ku bankat mund të regjistrojnë 43 miliardë denarë ose rreth 700 milionë euro, u realizua sot.

“Pikërisht për këtë arsye është bërë ky ndryshim, që të arrijmë te një instrument më tregtar dhe më efikas, me të cilin vlerësojmë se politika monetare dhe funksioni sinjalizues i normës bazë të interesit, që tani përqendrohet në këtë instrument bazë – obligacionet shtatëditore – do të jetë më efikas në të ardhmen dhe transmetimi i saj do të jetë më i efektshëm”, pohoi Trajko Sllaveski – Guvernator I Bankës Popullore.

Megjithatë, mbetet e hapur pyetja nëse kjo masë nënkupton relaksim të politikës monetare, në kushtet kur inflacioni është rreth 4 për qind. Ndryshe, obligacionet ndikojnë në sasinë e parave që përfundojnë si kredi: nëse rritet norma e interesit, bankat i investojnë paratë në obligacione, ndërsa nëse bie norma referente e interesit, paratë plasohen si kredi. Kjo ndikon në kreditim dhe, varësisht nga sasia e parave në qarkullim, ndikon edhe në kërkesën agregate, e cila ka ndikim të madh mbi inflacionin.