Gjermania paralajmëroi se Rusia mund të jetë e aftë të nisë një sulm në shkallë të gjerë në territorin e NATO-s, transmeton Anadolu.
“Nuk dua të spekuloj se sa i madh është rreziku që Presidenti rus Vladimir Putin të përdorë një armëpushim për ta vënë veten në një pozicion për të sulmuar territorin e NATO-s edhe më shpejt. Mund të na këshilloj vetëm të përgatitemi për mundësinë që kjo mund të ndodhë”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, për Agjencinë Gjermane të Medias (dpa).
Kjo do të arrihej duke ndërtuar struktura sigurie në NATO dhe duke ristrukturuar Forcat e Armatosura Gjermane në aspektin e personelit dhe pajisjeve për të krijuar një ushtri që është përsëri plotësisht e aftë të mbrojë vendin dhe aleancën e NATO-s, shtoi ai.
– Asnjë kompromis në mbrojtjen kombëtare dhe të aleancës
Wadephul bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve kur bëhet fjalë për aftësitë ushtarake gjermane dhe të NATO-s në dritën e një sulmi të mundshëm rus.
“Nuk ka asnjë arsye që ne të zvogëlojmë përpjekjet tona. Përkundrazi. Mund të këshilloj fuqimisht vetëm kundër bërjes së kompromiseve në të gjitha këto projekte dhe plane, sepse vetëm një pozicion force do të çojë në siguri më të madhe për ne në NATO dhe gjithashtu për ne në Gjermani”, tha kryediplomati gjerman.
Nëse ushtria ruse do të arrinte sukses të qëndrueshëm ushtarak në Ukrainë, “kjo do të përbënte një kërcënim serioz për NATO-n”, paralajmëroi ministri Wadephul. Vetëm për këtë arsye, tha ai, mbështetja e Ukrainës mbetet në interesat e sigurisë së vetë Gjermanisë.
“Sa më e qëndrueshme të jetë situata e paqes në Ukrainë, aq më shpejt Ukraina do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e veta dhe aq më mirë do të jetë për Evropën në tërësi”, tha ai.
Komentet e Wadephul pasuan një paralajmërim të mëparshëm nga ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili tha në mesin e nëntorit tha se Rusia do të ishte e aftë të sulmonte një shtet anëtar të NATO-s në lindje, pasi ky i fundit të kishte rindërtuar forcat e tij të armatosura.
“Ne gjithmonë kemi thënë se kjo mund të ndodhë që nga viti 2029”, tha Pistorius.
Muajin e kaluar, komandanti më i lartë operativ i Gjermanisë, gjenerallejtënant Alexander Sollfrank, zbuloi “Planin e Operacionit Gjermani”, një plan i ri kombëtar mbrojtës i përafruar me strategjinë rajonale të NATO-s, si planin e vendit për parandalim.
Plani përcakton se si deri në 800.000 trupa aleate mund të lëvizin nëpër Gjermani brenda 180 ditësh për të përforcuar krahun lindor të NATO-s në rast të një lufte të afërt.
