Maqedonia e Veriut dhe Turqia, protokoll të ri në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë

Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë nënshkruar protokoll të ri mbi Rregullat e Origjinës si pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis dy vendeve, transmeton Anadolu.

Protokolli është nënshkruar nga ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy.

“Protokolli i harmonizon rregullat e origjinës me Konventën Pan-Euro-Mesdhetare, duke krijuar kushte të përmirësuara tregtare, konkurrueshmëri më të lartë dhe procedura më të thjeshta eksporti”, tha Mucunski në një reagim nga rrjetet sociale, duke shtuar:

“Ai mundëson akumulimin diagonal të origjinës për përbërësit, lëndët e para dhe inputet e përdorura në prodhim për eksport në të dy tregjet. Kushte më të mira tregtare dhe eksporte të thjeshtuara për kompanitë maqedonase”.

– “Vazhdojmë përpjekjet për ta çuar bashkëpunimin në nivel më të lartë”

Ndërkaq, në një reagim nga ambasada turke në Shkup thuhet se rregullorja në fjalë synon të thjeshtojë rregullat lidhur me përcaktimin e origjinës së mallrave të tregtuara midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të kontribuojë pozitivisht në tregtinë e ndërsjellë.

“Shpresojmë që kjo rregullore do të kontribuojë në tregtinë tonë dhe falënderojmë ministrin Timço Mucunski për organizimin e kësaj ceremonie të mrekullueshme nënshkrimi. Vazhdojmë përpjekjet tona për ta çuar bashkëpunimin midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut në nivel më të lartë”, thuhet nga ambasada turke në Shkup.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë u nënshkrua më 7 shtator 1999. Përderisa vëllimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë është rreth 1 miliard dollarë, qëllimi është që ky vëllim të rritet në 2 miliardë dollarë.