Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka marrë pjesë në një stërvitje 90-minutëshe me forcat elitare Navy SEAL-s në Kaliforni, duke thënë më pas se ndihej sikur ishte “goditur nga një tren”, përcjell TV21. Fotot e publikuara tregojnë Vance duke mbajtur trungje, duke vrapuar në plazh dhe duke u ngjitur në pengesa me litar, krah për krah me pjesëtarë të SEAL-s.
“E përfundova stërvitjen fizike me Navy SEALs për 90 minuta. U treguan të butë me mua dhe prapë u ndjeva i shkatërruar,” shkroi Vance në rrjetin X, duke vlerësuar forcat speciale për standardet e tyre të larta.
Vance është veteran i Korpusit të Marinës së SHBA-së dhe ka shërbyer në Luftën e Irakut. Ai ka theksuar se përvoja ushtarake ka ndikuar në pikëpamjet e tij për sigurinë kombëtare.
Stërvitja përputhet me mesazhet e administratës Trump për rritjen e gatishmërisë fizike në ushtri, të theksuara edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.




