Një buxhet i rritur ushtarak, modernizim i shtuar dhe pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse janë në planin për aktivitetet në vitin 2026, potencojnë nga Ministria e Mbrojtjes me atashetë ushtarakë. Të gjitha operacionet paqeruajtëse vazhdojnë, por ushtarët maqedonas nuk do të dërgohen në një mision paqeruajtës në Ukrainë, tha ministri i Mbrojtjes, Misajllovski.
“Nuk planifikojmë që ushtarë maqedonas të ketë në territorin e Ukrainës, këtë e kam theksuar shumë herë edhe tash po e them. Ne të mundohemi të modernizohemi në pjesën tonë, sepse ne jemi pjesë e familjes së madhe dhe do të ndihmojmë, por jo në atë mënyrë.”, – deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Përfaqësimi në ARM, Misajllovski: Kriteri kryesor është cilësia, jo përkatësia etnike
I pyetur për përfaqësimin e drejtë në ushtri, respektivisht në njësinë speciale “Ujqit”, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, deklaroi se përzgjedhja bëhet ekskluzivisht mbi bazën e profesionalizmit dhe kualitetit të kandidatëve, e jo përkatësisë etnike.
“Mendoj se duhet të shohim kualitetin dhe çdonjëri që është kualitativ është i mirëseardhur në Armatë dhe ministri. Ka vërtetë persona kualitativ, të cilët nuk i shoh a janë maqedonas, shqiptar etj., por më e rëndësishme është personat që e duan shtetin dhe Maqedoninë. Çdonjëri i tillë është i mirëseardhur dhe absolutisht nëse i plotëson të gjitha kualitetet, por patjetër të potencoj se ka teste të veçanta të cilat duhet çdonjëri t’i kalojë, lloj i caktuar shërbimesh, më tej që të jetë në njësinë, cilëndo qoftë.”, – theksoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sashko Lafçinski, shprehu mirënjohjen e tij ndaj atasheve të mbrojtjes për frymën dhe përkushtimin e tyre konstruktiv, si dhe për bashkëpunimin e tyre të ngushtë me institucionet dhe njësitë e ushtrisë.
