AKI hap fushatën në Gostivar me besim të plotë për fitore me 11 janar

Kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Dr. Valbon Limani, hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 11 janarit, në një tubim të madh të mbajtur sonte në Gostivar. Në aktivitet morën pjesë liderët e koalicionit, Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, përfaqësues institucionalë, deputetë, struktura partiake, forume të gruas dhe rinisë, si dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Limani falënderoi qytetarët për mbështetjen e treguar në raundin e parë të zgjedhjeve, duke theksuar se fitorja iu mohua për një numër të vogël votash, por shprehu bindjen se në raundin e dytë do të triumfojë vullneti qytetar.

“Kjo nuk është hera e parë që në Gostivar provohen lojëra të tilla, por jam i bindur se me mbështetjen tuaj dhe mbi të gjitha me vullnetin e Zotit, do t’ia dalim,” deklaroi Limani.

Ai theksoi se nuk beson në premtime boshe fushatash, duke nënvizuar se angazhimi i tij politik bazohet në projekte konkrete dhe të realizueshme, që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Limani u bëri thirrje qytetarëve që më 11 janar të dalin masivisht në votime për të rikonfirmuar vullnetin e tyre, duke e cilësuar këtë proces si një betejë për dinjitet dhe për të drejtën e qytetarëve për të vendosur vetë për të ardhmen e Gostivarit.

Duke u ndalur edhe në aspektin personal, ai theksoi se është mjek me profesion, bashkëshort dhe baba i tre vajzave, i rritur me vlera familjare dhe me besim të palëkundur në Zot. “Besoj në Zot mbi gjithçka dhe për parimet e Zotit nuk bëj kompromis,” u shpreh Limani.

Në përmbyllje, ai ftoi qytetarët që fushatën ta përjetojnë si festë bashkimi dhe uniteti, duke theksuar se Gostivari duhet të fitojë përballë çdo përpjekjeje për t’ia mohuar vullnetin qytetarëve.
“Me Gostivarin në zemër dhe me besim në Zot, nisim rrugën drejt fitores së madhe. Fitorja mban numrin 3,” përfundoi ai.

Xhaferi: Bashkëpunimi institucional është çelësi i zhvillimit

Në tubim foli edhe kryesuesi i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valdet Xhaferi, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve lokale për realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve.

“Çdo projekt i realizuar është dëshmi se kur Këshilli Komunal, administrata dhe kryetari punojnë së bashku, qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt. Ky nuk është interes politik, por përgjegjësi qytetare,” deklaroi Xhaferi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 11 janar të mbështesin Dr. Valbon Limanin duke votuar numrin 3, duke theksuar se vetëm përmes unitetit mund të sigurohet zhvillim i barabartë për të gjithë.

Ahmeti: Limani ka mbështetjen e plotë të BDI-së

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se koalicioni AKI në Gostivar ka vetëm një kandidat për kryetar komune – Valbon Limanin.

“Ke mbështetjen time të plotë, mbështetjen e BDI-së dhe të të gjitha strukturave tona. Fitorja jote më 11 janar është e sigurt,” deklaroi Ahmeti, duke theksuar se Gostivari ka nevojë për një brez të ri udhëheqësish.

Taravari: Limani do të fitojë bindshëm

Kryetari i ASH-së dhe lider i koalicionit AKI, Arben Taravari, u shpreh i bindur se Valbon Limani do të fitojë bindshëm zgjedhjet e 11 janarit. Ai falënderoi strukturat e koalicionit për fitoren e 19 tetorit dhe bëri thirrje për mobilizim maksimal në raundin e dytë.

Në fjalimin e tij, Taravari paralajmëroi gjithashtu se gjatë vitit të ardhshëm pritet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në fund të tubimit, organizatorët falënderuan veçanërisht mërgimtarët e shumtë që kishin ardhur për të qenë pjesë e hapjes së fushatës, duke vlerësuar prezencën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme për qytetin e Gostivarit.
U bë e ditur gjithashtu se fushata e koalicionit AKI ishte hapur paraprakisht edhe në Vrapçisht, ku kandidat për kryetar komune është Isen Shabani.AKI hap fushatën në Gostivar me besim të plotë për fitore me 11 janar