Kongresi i fundit i Bashkimit Demokratik për Integrim dëshmoi edhe një herë pjekurinë politike dhe përgjegjësinë historike të partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Me rizgjedhjen unanime të Ali Ahmetit në krye të partisë, BDI konfirmoi vazhdimësinë e vizionit politik, stabilitetin e brendshëm dhe unitetin që e ka karakterizuar ndër vite.
Ali Ahmeti mbetet figura qendrore e bashkimit politik shqiptar, lideri që jo vetëm e themeloi BDI-në mbi idealet e barazisë dhe përfaqësimit, por edhe e udhëhoqi atë në momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit dhe avancimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve. Rizgjedhja e tij nuk është thjesht një akt formal, por një konfirmim i besimit të strukturave dhe anëtarësisë në një lidership të provuar dhe të qëndrueshëm.
Ajo që e bën këtë kongres veçanërisht domethënës është reformimi i thellë i strukturave drejtuese, ku mbi 60% e Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë përbëhen nga fytyra të reja. Ky është një hap i guximshëm dhe vizionar, që tregon se BDI jo vetëm flet për reformë, por e zbaton atë në praktikë. Hapja ndaj kuadrove të reja është dëshmi e një partie të gjallë, që përtërihet dhe përshtatet me realitetet e reja politike.
Largimi i figurave të vjetra që për vite me radhë kanë penguar proceset reformuese duhet parë si një akt përgjegjësie politike dhe jo si përjashtim. BDI po dëshmon se nuk është peng i individëve, por një organizëm politik që vë interesin kolektiv dhe të ardhmen e shqiptarëve mbi çdo interes personal. Kjo krijon hapësirë për mendim të ri, energji të freskëta dhe një qasje më dinamike në përfaqësimin politik.
Ky reformim i brendshëm përbën një shtytje të fortë për rininë shqiptare, e cila për vite ka kërkuar më shumë hapësirë dhe përfshirje reale në vendimmarrje. Me këtë kongres, BDI u dërgon një mesazh të qartë të rinjve: kjo parti është shtëpia juaj politike dhe platforma më serioze për realizimin e aspiratave tuaja.
Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI po dëshmon se mbetet forca e vetme e qëndrueshme, ekuptimplote dhe me vizion shtetformues. Ndërkohë që të tjerët shpesh mbeten në retorikë, BDI vazhdon të ndërtojë struktura, të reformohet dhe të mbajë përgjegjësi qeverisëse.
Kongresi i fundit nuk është fundi i procesit, por fillimi i një etape të re politike. Me unitet të brendshëm, lidership të konsoliduar dhe hapje të sinqertë ndaj reformimit, BDI është e përgatitur të vazhdojë rolin e saj historik si mbrojtëse dhe avancuese e interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.