Struga me zgjedhje të qëlluara dhe vizion të qartë politik

Shkruan: TetovaSot

Çdo kongres dhe çdo proces zgjedhor shoqërohet natyrshëm me mendime të ndryshme, aprovime dhe kundërshtime. Megjithatë, rasti i Bashkimit Demokratik për Integrim, veçanërisht në Degën e Strugës, dëshmon se ky subjekt politik po del nga këto procese më i konsoliduar, më i fortë dhe më i organizuar.

Edhe pse para zgjedhjeve lokale pati ndryshime të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të Degës së Strugës, përfshirë largimin e ish-kryetarit të Degës nga të gjitha organet partiake, BDI në Strugë arriti një rezultat unik dhe historik, duke ruajtur unitetin e brendshëm dhe mbështetjen qytetare.

Një nga figurat që gëzon vlerësim të gjerë institucional dhe publik është znj. Arbëresha Vlashi, e cila për katër vite ushtroi funksionin e Kryetares së Këshillit Komunal të Strugës. Gjatë këtij mandati nuk u evidentua asnjë lajm negativ, ndërsa puna e saj u shoqërua me iniciativa konkrete në interes të qytetit. Veçanërisht vlen të theksohet projekti për mbështetjen e fëmijëve me pengesa në zhvillim – një program unik sipas të dhënave zyrtare të Komunës së Strugës.

Në këtë kontekst politik, rol të rëndësishëm ka pasur edhe Jeton Shaqiri, i cili në një fazë kyçe ka qenë i propozuar dhe i miratuar politikisht nga Kryetari Ali Ahmeti për Kryetar të Degës së BDI-së në Strugë. Rrethanat e kohës nuk e bënë të mundur realizimin e këtij pozicionimi, por Shaqiri zgjodhi qasjen e unitetit dhe përgjegjësisë politike, duke mos lejuar përçarje brenda Degës.

Kontributi i tij si ministër vlerësohet drejtpërdrejt nga Kryetari Ali Ahmeti, i cili pas më shumë se dy dekadash përvojë politike ia besoi projekte me rëndësi strategjike në arsim dhe institucione publike, përfshirë Shkollën e Sellcës, Gjimnazin “Sami Frashëri”, Universitetin “Nënë Tereza” dhe iniciativa të tjera me ndikim konkret. Përtej projekteve, Shaqiri është dalluar për komunikim të hapur dhe korrekt me të gjitha strukturat partiake dhe institucionale, duke shërbyer si lidhje funksionale mes bazës dhe vendimmarrjes politike.

Ndërkohë, Faton Pollozhani është konsoliduar si një figurë kyçe e BDI-së në Strugë dhe një nga bashkëpunëtorët më të besueshëm të liderit Ali Ahmeti. Nën drejtimin e tij, Dega funksionoi me stabilitet të plotë, pa lëkundje organizative dhe me koordinim të qartë politik. Pollozhani ka dëshmuar aftësi menaxheriale dhe vizion politik, duke e orientuar Degën drejt funksionalitetit dhe përgatitjes serioze për proceset që vijnë. Angazhimi i tij në projekte të mbështetura edhe nga Ambasada Amerikane përbën dëshmi të besimit institucional dhe të kredibilitetit publik që ai gëzon.

Sipas informatave nga strukturat partiake, zgjedhjet dhe pozicionimet në Degën e Strugës janë bërë mbi bazën e vlerësimit politik dhe besimit të drejtpërdrejtë të Kryetarit Ali Ahmeti, pa imponime apo presione, duke ndërtuar një ekip funksional që pritet të ketë rol aktiv në sekretariate dhe këshilla të ndryshme lokale.

BDI në Strugë po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku uniteti, përvoja, zgjedhjet e qëlluara dhe qasja institucionale përbëjnë garanci për forcim të mëtejshëm politik dhe organizativ.