Nafie Selmani
VLEN-i, pavarësisht gjithë zhurmës dhe marketingut politik, assesi nuk po arrin të konsolidohet. Në anën tjetër, BDI-në që VLEN-i e shpalli të vdekur politikisht dhe të pashpresë, ajo po rifreskohet. Ky realitet është goditje e rëndë për mbështetësit dhe aktivistët e sinqertë të VLEN-it, të cilëve u ishte premtuar ndryshim, unifikim dhe alternativë reale.
Mosunifikimi i VLEN-it në një parti të vetme është dëshmi e qartë se aty mungon vizioni, guximi dhe vullneti politik. Ajo që na shitën si “front i ndryshimit”, në praktikë doli të jetë një grumbullim burrash me interesa personale, fraksionistë, dhe njerëz me ambicie të vogla, që nuk e duruan as përgjegjësinë minimale ndaj elektoratit të vet.
Në të njëjtën kohë, BDI sot largoi një pjesë të konsiderueshme të figurave të vjetra, duke u hapur rrugë emrave më pak të ekspozuar, por potencialisht më funksionalë. I pëlqeu apo jo dikujt, ky është veprim politik i kalkuluar dhe i qëlluar. Si kritikuese e vazhdueshme e BDI-së dhe e Ali Ahmetit që nga viti 2010, kur ata ishin në pushtet dhe përgjegjës për shumë dështime, sot duhet thënë një e vërtetë e hidhur për VLEN-in: Ali Ahmeti e nuhati momentin politik. Ai reagoi në kohë, goditi me sens dhe dëshmoi se është një hap përpara produkteve të tij politike që sot janë të grumbulluara në VLEN.
Krejt në anën tjetër qëndron zhgënjimi i thellë i atyre që e mbështetën VLEN-in pa rezerva. Si një nga mbështetëset më të sinqerta të VLEN-it që isha, ndjej keqardhje për të gjithë aktivistët e ndershëm që besuan se po ndërtohej diçka ndryshe. Na mashtruan. Na përdorën dhe na keqpërdorën me një “Ndryshim” që kurrë nuk e sollën. E gjithë kjo shërbeu vetëm për realizimin e ambicieve të ulëta personale të do burrave, për shërimin e komplekseve politike të disa tjerëve aty, e për disa të tjerë thjesht për të siguruar një rrogë deputeti.
Për herë të parë, pa ironi dhe pa entuziazëm, por me realizëm politik: Urime, Ali Ahmeti!