Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka përfunduar procedurën e mbledhjes së provave dhe ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup kundër një personi për vepra penale – Dhunë sipas nenit 386, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1, si dhe – Pengim i personit zyrtar në kryerjen e një veprimi zyrtar sipas nenit 382, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, tranemston Portalb.mk.
Më 10 dhjetor, i pandehuri kreu dhunë të rëndë ndaj dy gazetarëve në median online “Infomax”, si dhe ndaj një të ftuari në emisionin e tyre, duke i penguar kështu të kryejnë aktivitetet e tyre profesionale.
Ndërsa emisioni “Teshki muabeti” transmetohej drejtpërdrejt në YouTube dhe në rrjetet sociale, i pandehuri shkroi komente ofenduese dhe kërcënuese për një nga gazetarët për shkak të kritikave të drejtuara ndaj kryeministrit në emision. I pandehuri më pas erdhi në adresën ku ndodhet studioja, theu portën hyrëse, theu si derën hyrëse të ndërtesës ashtu edhe derën e studios, dhe si rezultat, emisioni u ndërpre.
“Njëri nga të dëmtuarit u përpoq ta ndalonte të pandehurin të hynte në studio, por ai vazhdoi të bërtiste dhe t’i kërcënonte me jetë, i mallkoi dhe i ofendoi të pranishmit, madje u përpoq t’i sulmonte fizikisht, duke tundur krahët dhe duke hedhur një gotë drejt tyre. Të dëmtuarit thirrën policinë, ndërsa ndërkohë arritën ta qetësonin të pandehurin dhe ta nxirrnin në rrugë”, thonë nga Prokuroria.
Me veprimet e tij të dhunshme, i pandehuri shkaktoi ndjenjë pasigurie dhe frike tek të dëmtuarit dhe personat e tjerë të pranishëm. Ekzaminimi mjekësor i të pandehurit tregoi se pavarësisht gjendjes së tij të mëparshme mendore, ai e kreu krimin në gjendje të kalkuluar. Prandaj, prokurori publik paraqiti propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë me qëllim sigurimin e tij gjatë procedurës.
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup u jep përparësi të gjitha rasteve që lidhen me sulme të mundshme ndaj gazetarëve dhe kërcënime ndaj lirisë së fjalës”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.