Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nënshkruan Marrëveshje kolektive me sindikatat e pesë universiteteve publike





Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka nënshkruar marrëveshje kolektive me sindikatat e pesë universiteteve publike të vendit. Ky hap i rëndësishëm ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës për stafin akademik dhe përforcimin e cilësisë akademike në nivelin e arsimit të lartë.
Universitetet për të cilat u nënshkruan marrëveshjet janë:
• Universiteti “Goce Delçev” – Shtip
• Universiteti i Tetovës
• Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir
• Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup
• Universiteti “Shën Apostol Pavle” – Ohër
Ky është një moment historik për arsimin e lartë në vend, pasi tani të gjitha universitetet publike do të kenë marrëveshje kolektive, duke krijuar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të barabartë për arsimin e lartë.
Me këtë hap, vendoset një standard i lartë për arsimin dhe krijohet mundësia për ndërtimin e një sistemi më konkurrues, ku vlerësimi i drejtë i punës së stafit akademik është një nga qëllimet kryesore.
Marrëveshjet kolektive janë një instrument i rëndësishëm për mbështetjen dhe avancimin e mëtutjeshëm të arsimit të lartë në vend.
Me këtë rast, Kryetari Gashi përcolli urimet deri tek të gjitha universitetet, stafi akademik dhe studentët për këtë sukses të përbashkët dhe këtë moment të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nënshkruan Marrëveshje kolektive me sindikatat e pesë universiteteve publike