Në lidhje me konferencën për shtyp të opozitës të mbajtur sot, jemi të detyruar të theksojmë qartë dhe pa dyshim se pretendimet e shpalosura janë plotësisht të pabaza, të pasakta dhe paraqesin shpifje të rëndë dhe konstruksion të qëllimshëm. Përpjekjet e opozitës janë të qarta, të krijojë narrativa pa bazë faktike. Prandaj edhe një herë theksojmë se të gjitha të dhënat relevante janë publikisht të disponueshme dhe lehtësisht të verifikueshme përmes sistemeve elektronike zyrtare të institucioneve kompetente. Këto konstruksione të dobëta dhe të pa ide shpërbëhen lehtësisht me verifikimin më bazik.
Bëhet fjalë për një prokurim publik të centralizuar për 20 ministri, me vendim të Qeverisë. Prokurimi i këtyre sistemeve ka për qëllim forcimin e sigurisë kibernetike të institucioneve përmes identifikimit në kohë të dobësive të sigurisë dhe mbrojtjes proaktive nga kërcënimet. Gjatë procedurës kishte dy oferta, ndërsa subjekti i përmendur kishte ofertën më të favorshme. Procedura u zhvillua pa asnjë vërejtje dhe pa asnjë ankesë të parashtruar.
Sa i përket prokurimit tjetër publik të përmendur, bëhet fjalë për një softuer realisht të nevojshëm për një projekt që e kemi premtuar para qytetarëve me qëllim rritjen e transparencës dhe digjitalizimin e proceseve institucionale. Konkretisht, parashikon një modul për ndjekjen e kontratave (realizimin dhe sasinë e tyre), një modul për burimet njerëzore, një modul për shqyrtimin e kërkesave nga institucione të ndryshme drejtuar SHPPP-së, si dhe pasqyrimin e shpenzimeve operative dhe se sa shpenzon secili institucion.
Këto fakte konfirmojnë se bëhet fjalë për një përpjekje tendencioze për manipulim politik, në të cilën plasohen pretendime të fabrikuara pa asnjë provë relevante. Pretendimet që lidhen me individë dhe privilegje të supozuara janë absolutisht të pasakta dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me faktet dhe dokumentacionin e disponueshëm nga institucionet kompetente.
Publikisht dhe me përgjegjësi pohojmë se në të gjitha procedurat nuk ekziston as edhe një lëshim minimal, as ndonjë parregullsi më e vogël. Opozita, dukshëm e paaftë të ofrojë ide, programe apo vizion edhe një herë i rikthehet recetës së vjetër dhe tashmë të konsumuar të trillimeve, por këto janë konstruksione të zbehta dhe pa ide që zbulojnë dëshpërimin e atyre që i plasojnë.
Institucionet punojnë në mënyrë transparente, ligjore dhe duke dhënë llogari, ndërsa kushdo që pretendon të kundërtën do të duhet t’i mbështesë fjalët e veta me fakte, e jo me konstruksione boshe politike.
I inkurajojmë të gjitha palët e interesuara të informohen nga burimet zyrtare dhe të mos bien pre e spekulimeve të motivuara politikisht. Publiku meriton përgjegjësi, fakte dhe transparencë.