Mickoski: Ka para në buxhet, subjektet juridike duhet të jenë më të përgjegjshme në dërgimin e urdhërpagesave
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistë në “Tema e ditës” në Ditarin e Televizionit Sitel, theksoi se ka para në buxhet, ai është stabil dhe në gjendje të shkëlqyer, ndërsa data 15 dhjetor nuk ka nënkuptuar mbylljen e thesarit, por nismë që subjektet juridike të jenë më të përgjegjshme në dërgimin e urdhërpagesave, në mënyrë që gjithçka të mos bëhet, siç u shpreh ai, “12 pa 5”.
“Kur flasim për thesarin, duam thjesht të ketë rend. Kjo do të thotë se vitin e kaluar ndodhi që në momentin e fundit të vinin shumë urdhërpagesa dhe të mos mund të përpunoheshin, ndodhte që kreditorët të mos paguheshin në kohë dhe të hynim në një vit tjetër fiskal. Prandaj thamë që 15 dhjetori të jetë data e fundit, të përpiqemi të gjithë të jemi të disiplinuar. Natyrisht që edhe më 25 edhe më 31 dhjetor, nëse vjen një urdhërpagesë, ajo do të përpunohet, por nuk mund t’i kryejmë gjithmonë punët në momentin e fundit. Le të jemi një herë të disiplinuar dhe t’i përfundojmë punët me kohë – kjo ishte nisma”, theksoi kryeministri Mickoski.
Në lidhje me akuzat e LSDM-së se paskan munguar 60 miliardë denarë, kryeministri Mickoski theksoi se kjo është e pavërtetë dhe buxheti është absolutisht në gjendje të shkëlqyer.
“Vetëm në 10 ditët e para të këtij muaji janë mbledhur 15 miliardë denarë. Të mos harrojmë se më 25 të muajit paguhet TVSH-ja etj. por ajo që ata shohin si të dhënë në faqen e Ministrisë së Financave nuk i përfshin të ardhurat vetjake të institucioneve, sepse të gjitha kanë llogari buxhetore dhe llogari vetjake. Kur e gjithë kjo përfshihet, pra kur hyn në ‘pishinë’, arrijmë në ato 350–360 miliardë denarë që duhet t’i mbledhim. Por duhet ta dimë gjithashtu se edhe shpenzimet në përqindje i ndjekin të ardhurat, pra shpenzimet janë në të njëjtën përqindje si të ardhurat, që do të thotë se deficiti buxhetor po zvogëlohet, e kjo është diferenca ndërmjet anës së shpenzimeve dhe asaj të të ardhurave”, sqaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski i hodhi kategorikisht poshtë pretendimet se ka pasur vonesa në pagesa jashtë afatit të arsyeshëm prej disa ditësh.
“Të gjitha mjetet paguhen në kohë. Mund të ketë ndonjë ditë vonesë, për arsye të thjeshtë se rishpërndarja në buxhet sapo kaloi në Kuvend dhe tani duhet të nënshkruhet, të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe ky proces të kalojë nëpër institucione, të cilat më pas duhet t’i transferojnë mjetet te qytetarët dhe përfituesit përfundimtarë”, tha kryeministri Mickoski.
Në lidhje me deficitin buxhetor, kryeministri Mickoski sqaroi se ai financohet në tre mënyra: e para përmes letrave shtetërore me vlerë, e dyta përmes burimeve të jashtme, pra marrëveshjes me bankë komerciale pas një gare lokale ofertash dhe e treta përmes euro-obligacionit, duke kujtuar se Qeveria ka shlyer një euro-obligacion dhe nuk ka lëshuar një të ri.
“Do t’u kujtoj qytetarëve se këtë vit ne nuk kemi lëshuar euro-obligacion, por kemi shlyer një euro-obligacion prej gjysmë miliardi euro më 19 janar. Ne kemi kthyer gjysmë miliardi euro dhe nuk kemi lëshuar të ri. Deficiti buxhetor këtë vit do të jetë nën 4% të PBB-së nominale, ndërsa PBB-ja nominale do të jetë më e lartë se ajo e projektuar në fillim të vitit. Këta janë parametra makroekonomikë që garantojnë stabilitet. Për ta përmbledh, gjendja është stabile, por duhet të mësohemi me rend dhe disiplinë. Nuk mund të shpenzohen paratë në mënyrë të stuhishme dhe nuk mund të ‘thithet’ buxheti përmes faturave të rreme dhe përfituesve të rremë”, deklaroi kryeministri Mickoski.