Shkruan: Merxhan Jakupi
Sipas Budës, jeta është dhimbje, vuajtje dhe shumë pak lumturi. Njeriu, që kur erdhi në këtë planet, jetoi me iluzione dhe shpresë, duke menduar se do të jetojë i lumtur. Por në fund, njeriu mbeti i zhgënjyer, i frustruar nga kjo botë, thotë Buda.
Në qytetin tim, shpesh, duke ecur rreth lumit, çdo herë rrugës ose në parkun afër lumit, takoja një burrë me bastun në dorë, të pashëm, elegant, në moshë të thyer. Tërë ditën e kalonte i vetmuar. Imazhi i këtij burri tregonte se kishte përjetuar shumë vuajtje, dhimbje dhe drama në jetë. Pasi e përshëndeta, kur u ula, pashë një buzëqeshje në fytyrën e tij. Vërejta se ishte i etur për biseda dhe kontakte me njerëz.
“Eh, kjo dynja paska qenë e rrejshme”, tha ai, duke e përplasur bastunin për tokë. Burri në moshë të thyer ishte mërgimtar.
Me taktin e bastunit të tij, ai filloi të rrëfejë se çfarë i kishte thënë një herë, një fqinj i tij zviceran: “Sikur të më pyeste Zoti pas vdekjes se a do të rikthehesh përsëri në këtë botë, unë do t’i thosha asnjëherë, kurrë më. Miku zviceran vazhdoi: “Unë e di se do të shkoj te Zoti, por nuk e di nëse do ta takoj Zotin. Po ta takoja, do t’i thosha Zotit, si më bëre pa drejtësi, pse më dërgove në këtë skëterrë, në këtë ferr për të vuajtur?”
Mërgimtari ynë vazhdoi të rrëfejë për jetën, peripecitë, vuajtjet dhe dhimbjet që kishte përjetuar: “Pata ditëlindjen muajin e kaluar. I mbusha 87 vjet. Të jetosh shumë gjatë do të thotë të vuash dhe të përjetosh dhimbje më shumë. Duhet të jesh hero për t’i përballuar të gjitha këto vuajtje e dhimbje që kam përjetuar unë deri tash”.
Mërgimtari ynë dukej me fizik të mbajtur mirë, vital dhe i ri. Dukej sikur kishte zemër të çeliktë.
“Kur isha 10 vjeç, babai im më dërgoi në një qytet për të ruajtur bagëtinë. Pas gjashtë muajve, me kompensim do të merrja 100 kg misër. Misri ishte i mykur, as kafshët nuk e hëngrën. Kur u rrita pak, shkova të punoja në kooperativë si bari. Pas disa viteve, bashkë me vëllain shkuam të punonim në Beograd. Hapnim kanale dhe bënim punë të rënda”, rrëfente mërgimtari.
Duke punuar, rrëfente ai, një zotëri mu afrua dhe më pyeti: “Sa vjeç je, ndërsa unë i thashë se isha 16 vjeç”. Zotëria më tha: “Duhet të shkosh në shkollë”.
“Më kujtohet kur bashkë me vëllain tim dhe një kushëri punonim në një magazinë. Pas mbarimit të punës, zotëria na çoi në një restorant luksoz. Hëngrëm sipas menysë së plotë. Zotëria na tha se enkas na kishte sjellë aty. E di, tha ai , po t’ju jepja para, nuk do të shkonit në restorant. Të gjithë qeshëm së bashku”, rrëfente ai.
Mërgimtari e bënte të ditur se paraja nuk të bën të lumtur. “Më mirë dhe më i lumtur kam jetuar në varfëri sesa tani. Eh, ç’fitova unë? Jam zhgënjyer, penduar dhe ashtu janë edhe shumica e mërgimtarëve. Tash, në pleqëri, kthehemi pa fëmijët, pa nipat e mbesat”.
“Bleva një shtëpi trekatëshe për mua dhe dy djemtë. Pas martesës, djali i madh u transferua në një qytet tjetër. Pas disa vitesh u largua edhe djali tjetër. Vajza vazhdoi studimet dhe, në fund, u martua me një italian. Kjo ishte një tragjedi dhe tmerr për familjen, sidomos për shoqen time. Nuk e pranuam vajzën. Ime shoqe shpesh thoshte se italiani nuk mund të bëhet mik (krushk)”, rrëfente ai.
Pas dy vitesh i kishte vdekur e shoqja. Pas daljes në pension, shtëpinë ia mori banka dhe kishte dalë në një apartament të vogël. Shumë rrallë kishte vizita nga fëmijët.
“Kur hyra në moshë, shkova disa muaj në shtëpinë e pleqve. M’u duk më keq se burgu. Tash u ktheva në vendlindje. Shkoja te shtëpia trekatëshe, me oborr. Tërë jetën kisha investuar kot, thashë me vete. Kisha krizë dhe rashë në depresion. Doja t’i vija zjarrin shtëpisë deri në themel”, rrëfente në mënyrë të ankthshme ai.
Mërgimtari kishte qenë njeri human dhe bamirës. Kishte ndihmuar shumë familje të varfra. Po ashtu u kishte dhënë shokëve dhe miqve para hua, që shumica nuk ia kishin kthyer. Kur takonte ndonjë shok ose mik të vjetër borxhli, ata kthenin kokën ose ndërronin rrugën.
Një natë, mërgimtari bëri një bilanc për tri dekadat e fundit, sa kishin mbetur borxh miqtë dhe shokët e afërt. Ai kishte vendosur t’i takonte dhe t’ua falte të gjitha paratë. Kishte humbur edhe shokun më të mirë të jetës.
“Të lutem, shoku im fisnik, unë prej moti ua kam falur paratë dhe ua kam bërë hallall. Po ke nevojë, jam i gatshëm t’ju ndihmoj”, i tha mërgimtari. Shoku i rinisë ia ktheu:“ Unë juve nuk ju kam lypur para dhe as që kam pasur nevojë”.
Po ashtu, takoi një mik tjetër. Miku deshi ta shmangë dhe të mos e përshëndesë, por mërgimtari nxori dorën dhe ia shtrëngoi mikut. “Miku im i nderuar, prej para shumë kohësh keni pasur një borxh, por unë, i dashuri mik, ua kam falur. Nuk keni asnjë borxh. Ju lutem, mos ikni, por ejani të pimë një kafe”. Miku buzëqeshi dhe e falënderoi mërgimtarin.
Takoi edhe një mik të vjetër. Pasi e përshëndeti me buzëqeshje, mërgimtari i tha: “Miku im bujar dhe fisnik, shumë kohë më parë keni pasur një borxh, por mos u shqetësoni, unë që moti ua kam falur”.
Miku borxhli, me sarkazëm dhe sjellje arrogante, i tha mërgimtarit: “Unë juve nuk ju njoh dhe as që ju kam pasur borxh ndonjëherë”.
Mërgimtari, i zbehur në fytyrë, ndërsa lotët filluan t’i rridhnin në faqe.
Disa miq ishin mirënjohës për mirësinë dhe humanizmin e tij, disa të tjerë akoma i shkonin e i lypnin para mërgimtarit. Ai nxirrte kuletën dhe ua jepte të varfërve.
Një mëngjes, në lagjen e xhamisë, pas ezanit, u dëgjua kumti mortor. Po atë mëngjes ishte përhapur lajmi se mërgimtari kishte ndërruar jetë.
Sign in
Sign in
Recover your password.
A password will be e-mailed to you.
Trending
- Objektet e braktisura në zemër të Kumanovës, hotele e restorante janë shndërruar në gërmadhë dhe deponi
- Raporti i zjarreve në Evropë për 2024, Maqedonia e Veriut në listën e vendeve që pësuan humbje të rënda
- “Kujdes nga lajmet e rreme!”: Ambasada e Zvicrës me një reagim publik demanton pretendimet se tregu zvicran po kërkon punëtorë të huaj
- Gruaja e moshuar nga Shkupi u mashtrua për 170.000 denarë, nga një person që u prezantua si polic
- Çollaku ngrit dyshimet për fabrikën e municioneve në Kosovë: Gjithmonë para zgjedhjeve…
- Në vendkalimet kufitare “Tabanoc” dhe “Dojran” koha e pritjes për dalje nga Maqedonia është rreth 40 minuta
- Sistemi ‘Qytet i Sigurt’: Do të vendoset ‘Valë e Gjelbër’ në Shkup — në të ardhmen do të ketë targa të automjeteve që nuk do të gjobiten
- “Diaspora dhe Kosova janë një”, Haradinaj vlerëson rolin e mërgatës ndër vite
- Vendkalimi ilegal i këmbësorëve afër Bit Pazarit, Mexhiti: Zgjidhje është prishja e urës dhe vendosja e semaforëve
- Djali Azem Hajdarit tregon të pathënat e historisë së babait: Lë garant fëmijët…