Zjarri vdekjeprurës në kompleksin e banimit në Hong Kong, zbulohet shkeljet e sigurisë nga kontraktori që kryente rinovimin e fasadës
Pronaret e apartamenteve në një kompleks që u shkatërrua plotësisht në një nga zjarret më vdekjeprurëse në Hong Kong, ishin informuar gabimisht se kontraktori që do të kryente rinovimet kishte një rekord të pastër sigurie, sipas Reuters.
Banorët morën këtë garanci të gabuar nga kompania këshilluese e ndërtimit Will Power Architects, e cila ishte angazhuar nga shoqata e pronarëve për të vlerësuar ofertat për kontratën e rinovimit të kompleksit.
Në realitet, kontraktori që mori përsipër punimet, Prestige Construction & Engineering Co., ishte ndëshkuar nga autoriteti i sigurisë së qytetit më shumë se dymbëdhjetë herë gjatë shtatë viteve të fundit, sipas të dhënave të autoriteteve, përfshirë shkelje si instalim i papërshtatshëm i skelave dhe lidhje elektrike të defektshme.
Gjoba u vendosën për shkelje të një ligji për sigurinë industriale midis viteve 2016 dhe 2019, sipas dokumenteve të Ministrisë së Punës.
Kjo ngre pyetje se si Prestige fitoi një kontratë rinovimi prej 36 milionë eurosh pas rekomandimit të Will Power.
Të dy kompanitë tani janë subjekt i hetimeve për vrasje nga pakujdesia dhe korrupsion, pas zjarrit që shkaktoi vdekjen e të paktën 159 personave.
Banorët, përfshirë disa me përvojë në ndërtim, kishin bërë ankesa të përsëritura për punëtorë që pinin cigare në vendin e punës dhe për përdorimin e materialeve të ndezshme nga kompania Prestige, përfshirë në skela. Ata gjithashtu bënë përpjekje të kota për të revokuar kontratën e kompanisë.
Autoritetet raportojnë se pjesë të rrjetës së përdorur nga Prestige në skelat e ndërtesës për të mbledhur mbeturinat nuk përmbushnin standardet e sigurisë nga zjarri, dhe pllakat prej shkumë që u përdorën për mbrojtjen e dritareve gjatë rinovimit ishin jashtëzakonisht të ndezshme.